Një takim ndërmjet komandantit të KFOR’it dhe komandantit të Ushtrisë serbe pritet të zhvillohet, ku temë e bisedimeve pritet të jenë zhvillimet pas ndalimit të trenit serb dhe kërcënimeve nga Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili ka kërcënuar se Serbia do ta dërgojë ushtrinë në Kosovë.
Në përgjigjen për Gazetën Express, KFOR’i nuk e ka precizuar datën e takimit, por thuhet se do të mbahet jashtë Kosovës.
Zakonisht takime të tilla mbahen në Nish të Serbisë. Sipas të gjitha gjasave, takimi do të mbahet nesër.
“Në përputhje me mandatin e tij aktual, që rrjedh nga Marrëveshja Teknike Ushtarake, KFOR mban takime të rregullta, të cilat planifikohen disa javë më herët me udhëheqjen e lartë ushtarake të vendeve fqinje, për të diskutuar për situatën dhe për të ndërtuar besim reciprok”, ka thënë KFOR’i për Gazetën Express.
“Takimi me shefin serb të Mbrojtjes është caktuar javë më parë dhe nuk do të zhvillohet në Kosovë. Ky takim mbahet rregullisht”, ka sqaruar KFOR’i. /Express/


