E përditshmja prestigjioze franceze “Le Monde” shkruan sot se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka urdhëruar dërgimin e forcave të rendit për ta ndaluar hyrjen e trenit me mesazhe nacionaliste të Serbisë në Kosovë, transmeton “Zeri.info”.
Kjo gazetë citon kreun e shtetit, i cili kishte deklaruar se “hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme”.
Më tutje, në artikull thuhet se dërgimi i këtij treni me përmbajtje provokuese nga ana e Beogradit i ka vënë të dyja shtetet “në prag të konfliktit”.
“Le Monde” shkruan se për herë të parë që nga lufta e viteve 1998 -1999, e cila rezultoi në pavarësinë e Kosovës, një tren ishte nisur nga Beogradi të shtunën për në qytetin më të madh të pjesës veriore të Kosovës, në Mitrovicë, ku ende banon një pakicë e rëndësishme serbe.
Ky udhëtim, pohon “Le Monde”, nuk u jetësua, përcjell “Zeri.info”.
Serbia, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008, e kishte veshur trenin me mesazhin “Kosova është Serbi” dhe atë në 21 gjuhë, si dhe me afreske nga manastiret e Kosovës – një provokim ky për Prishtinën, raporton e përditshmja franceze.
Gazeta “Le Monde” veçon deklaratën e presidentit serb, nacionalistit Tomisllav Nikolliq, i cili sërish ka ngritur tonin duke deklaruar se këto dy vende kanë gjetur veten “në prag të konfliktit” dhe se ai është i gatshëm për ta dërguar ushtrinë serbe në Kosovë, siç tha ai, nëse është e nevojshme. /ZËRI/


