Lorik Cana mund të pezullohet nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë për shkak të sjelljeve të tij në stadiumin e Partizanit.
Sipas gazetës së përditshme italiane “Il Messaggero”, kapiteni kuqezi mund të ndëshkohet për shkak “të sjelljes së tij të dhunshme ndaj disa tifozëve serbë që kishin sulmuar një shok të skuadrës (Balajn)”.
Për këtë veprim të tij ai “mund të pezullohet për një periudhë që shkon nga 6 muaj, deri në 1 vit e gjysmë”.
Gazeta Shqip transmeton se pezullimi do të penalizonte edhe klubin e tij Lazio, duke parë se normat e UEFA-s për pezullimet e lojtarëve aplikohen jo vetëm në nivel kombëtareje, por edhe për skuadra klubesh.
Çështja do të shqyrtohet më 23 tetor, kur do të jepet edhe vendimi mbi dënimet ndaj dy kombëtareve, duke parë që më 14 nëntor do të luhen sfida të tjera eliminatoresh për “Francë 2016”. /Telegrafi/



