Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti në Kosovë janë kthyer 618 azilkërkues nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), ku kishin kërkuar azil. Numri i azilkërkuesve kosovarë, që janë detyruar të kthehen në vend është më i lartë sesa ata që janë kthyer si vullnetarë.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) konfirmon se në janar janë detyruar të kthehen 337 kosovarë, kurse 281 veta janë kthyer vullnetarisht.
Gjermania, Austria dhe Zvicra janë vendet nga të cilat më së shumti po kthehen banorët Kosovës e sidomos ata që dolën jashtë vendit në mënyrë ilegale dhe po në këtë mënyrë depërtuan në këto vende perëndimore.
Ndërsa, të kthyerit në Kosovë që kanë dalë në gjashtëmujorin e fundit përmes Hungarisë po kthehen nga Suedia, Gjermania, Franca, Austria, kurse vendbanimet e tyre, sipas listës zyrtare që disponon “Zëri”, del se janë Ferizaj, Vushtrria, Podujeva, Prizreni…
Të kthyerit e fundit që emigruan në vendet e BE-së përmes Serbisë dhe Hungarisë po përballen tash me mungesë të ushqimit në Kosovë. Të papunë e pa ndihmë sociale nga niveli lokal dhe ai qendror, të detyruar të kthehen nga vendet ku kanë emigruar ilegalisht, kosovarët në vendin e tyre, ku nuk panë shpresë të jetojnë, kanë mbetur dhe pa shtëpi e pa vetura, të cilat i kishin shitur për të emigruar ilegalisht./Zëri/


