Sot (e hënë) do të publikohen rezultatet e Testit të Maturës, kurse rreth 160 maturantëve që dyshohen se kanë bërë manipulime në pjesën e parë të Testit të Maturës do t’u publikohen zero pikë. Kështu ka bërë me dije për “Epokën e re” zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherësh kryetar i Komisionit Shtetëror të Maturës (KQSHM). Ndërsa, sipas tij, maturantëve që u janë zënë telefonat mobilë gjatë pjesës së dytë të testit do t’u mohohet e drejta e maturës për pesë vjet. “Do të jetë numër relativisht i madh i maturantëve që do t’u publikohen zero poena.
Brenda dy-tri ditëve do ta publikojmë listën me emrat e tyre që do t’i dërgojmë për kallëzim penal, pastaj i mbetet prokurorisë të merret me ta”, ka thënë Mustafa. Ndërkaq i pyetur se kopjimi a mund të ndikojë në rezultatin e testimit, ai ka thënë se fakti që ka pasur kopjim kjo nuk do të thotë se rezultati do të jetë më i madh në ato qendra. Mustafa ka thënë se shumica e përgjigjeve që kanë qarkulluar tek maturantët kanë qenë të pasakta dhe maturantët kanë rënë viktimë e atyre përgjigjeve.
Mustafa ka thënë se KQSHM-ja pret që rezultatet nga pjesa e dytë e Testit të Maturës të jenë më të mira se ditën e parë meqë, sipas tij, kushtet e organizimit kanë qenë më të mira. “Pjesa më e madhe e maturantëve, sidomos e atyre që kanë qenë nxënës shumë të mirë, kanë pasur kushte më të mira për punë dhe i kanë shfaqur njohuritë e tyre”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se tashmë maturantët e kanë kuptuar që aleati kryesor në provimin e maturës do të jetë vetvetja. Ai ka bërë me dije se maturantëve që u është anuluar testi në mënyrë individuale do të marrin zero pikë, kurse maturantët e ditës së dytë të cilët janë nxjerrë jashtë për shkak të mosdisiplinës dhe tentimit për kopjim do t’u humbet ky afat. “Për ata maturantë që janë kapur herën e dytë me telefona do të ketë masa drastike, që është ndalimi i hyrjes në provim deri në pesë vjet siç është rasti në Besianë, që janë kapur me telefon dhe që kanë publikuar testin në ‘Facebook’”, ka thënë ai. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se në përgjithësi procesi i Testit të Maturës ka qenë i mirë. “Kemi pasur 14 qershorin kur jemi përballuar me shumë probleme për shkak të një administrimi të dobët nga ana e mësimdhënësve të cilët janë përzgjedhur nga DKA dhe ata nuk e kanë arsyetuar besimin që ua ka dhënë MASHT-i. Kemi parë raporte të ndryshme përmes të cilave është bërë një përshkrim i saktë i gjendjes. KQSHM-ja u detyrua të marrë masa dhe ato i dhanë efektet e veta. Mësimdhënësit i kemi zëvendësuar me kompanitë e sigurimeve.
Po ashtu, kemi pasur edhe masa ndëshkuese për maturantë dhe për personelin përgjegjës. Të gjitha kanë ndikuar që më 28 qershor të kemi një pamje krejtësisht tjetër të këtij procesi dhe që është vlerësuar”, ka thënë Mustafa. Ai ka falënderuar për ndihmën dhe përkushtimin rektoratet e universiteteve publike, në veçanti profesorët e Fakultetit të Mjekësisë, Edukimit dhe FSHMN-së. “Derisa çuditërisht ka pasur pjesëmarrje të vogël nga stafi i Fakultetit Ekonomik dhe Juridik për arsye të panjohura”, ka thënë ai. Atyre që u publikohen zero poenë dhe nuk kanë bërë shkelje të rënda, ata mund t’i nënshtrohet testit në afatin e gushtit.