Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, i ka konfirmuar spekulimet se ai dëshiron të jetë trajner i Interit një ditë, megjithatë ka thënë se trajneri aktual i zikaltërve, Luciano Spalletti është duke e bërë një punë të mirë deri më tani.
Simeone, gjatë karrierës së tij si mesfushor, kishte luajtur për Interin, dhe tani e ka bërë të qartë se dëshiron të kthehet përsëri te ish-klubi i tij një ditë, por tani në pozitën e trajnerit, përcjell Gazeta Express.
“Është e qartë se gazetarët italianë do ta bëjnë këtë pyetje klasike. Gjithmonë kam thënë se një ditë do ta marrë pozitën e trajnerit në Inter, e kam gjithmonë në mendje këtë opsion”, ka thënë Simeone.
“Ata e kanë një trajner, i cili është duke bërë punë shumë të mirë. Por, edhe unë jam duke kaluar një kohë të jashtëzakonshme me Atleticon. Do të ndodhë atëherë kur të ndodhë. 2020, viti i përfundimit të kontratës me Atleticon, është larg. Kam ende dy vite kohë”.
Gjatë shtatë viteve në drejtim të Atletico Madridit, ai ka arritur t’i fitojë shtatë tituj me skuadrën e tij, si dhe një herë çmimin për trajnerin më të mirë në botë. Gjithashtu, ai kishte arritur të shkonte në finale të Ligës së Kampionëve dy herë, por ishte mposhtur në të dyja këto finale nga Real Madridi.
Ndërsa, gjatë kohës sa ishte futbollist, ai e kishte kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij në Itali, në Inter nga viti 1996 deri më 1999 dhe pastaj katër vite në Lazio. /Gazeta Express/


