Pronari i Interit, Steven Zhang, i ka hedhur poshtë mundësitë për transferimin e sulmuesit argjentinas, Mauro Icardit, në Juventus, përkundër problemeve që janë shfaqur gjatë kohës së fundit.
Problemet rreth Icardit kanë shpërthyer gjatë ditëve të fundit, pasi që klubi zikaltër ia hoqi atij shiritin e kapitenit për shkak të komenteve të agjentes dhe bashkëshortes së tij, Wanda Naras në televizion për negociatat e rinovimit të kontratës, transmeton Gazeta Express.
Sulmuesit të Interit i ishte marrë shiriti i kapitenit të mërkurën e javës së kaluar, para ndeshjes së Evropa Ligës kundër Rapid Viennas. Rolin e kapitenit në skuadrën e zikaltërve tani do ta ketë Samir Handanovic.
Pas këtyre problemeve, kapiteni i Juventusit, Giorgio Chiellini, kishte filluar ta ndjekë argjentinasin në Instagram dhe ky veprim i tij u vlerësua si shenjë për një transferim të mundshëm të Icardit.
Në fillim të javës së kaluar, edhe drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratici, kishte bërë të ditur se para se ta transferonin Cristiano Ronaldon, ata e kishin në plan të parë ta transferonin argjentinasin e Interit.
“Në futboll, nuk mund të thuash se nuk do të bësh asnjëherë biznes me Juventusin. Mirëpo, për këtë rast specifik, nuk ka asnjë mundësi që Icardi të shkojë në Juventus”, ka thënë Zhang.
“Ne kemi folur mjaft shumë javën e kaluar, ne duam të ndalojnë më bisedat për këtë ngjarje. Me Icardin, ne jemi duke negociuar për rinovimin e kontratës. Por, filozofia jonë është se grupi është më i rëndësishëm se individët. Afati kalimtar i kësaj vere do të jetë më i mirë se i kaluari”.
Vendimi për t’ia hequr shiritin e kapitenit, edhe trajneri Luciano Spalleti, edhe drejtori sportiv Piero Ausilio, e kanë përshkruar si të dhimbshëm.
Pas këtij vendimi të Interit, Icardi e hoqi veten nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen e Evropa Ligës, duke sugjeruar në rrjetet sociale se ishte i lënduar, mirëpo Spalleti më vonë tha se ky kishte qenë vendimi i sulmuesit.
Për të ardhmen e Icardit është spekuluar tash e një kohë të gjithë pasi që bashkëshortja dhe agjentja e tij, Wanda Nara, nuk ka arritur marrëveshje me Interin për ta rinovuar kontratën. Nara i ka zemëruar tifozët e Interit duke sugjeruar se klubi duhet ta mbrojë më shumë Icardin nga lajmet e këqija. /Gazeta Express/


