Ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, e ka lavdëruar trajnerin e tij, Maurizio Sarrin, pas spekulimeve të vazhdueshme për të ardhmen e trajnerin italian.
Disfata me rezultat 6:0 në ndeshjen kundër Manchester Cityt ka bërë që shumë njerëz ta vënë në dyshim të ardhmen e Sarri në pozitën e trajnerit të klubit londinez, transmeton Gazeta Express.
Përkundër që sezonin e kishte filluar në mënyrë mjaft të mirë, duke shkuar 12 ndeshje pa disfatë, skuadra e Sarrit tani renditet në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, pasi i kanë humbur tri nga katër ndeshjet e fundit.
Sarri ka qenë mjaft i hapur publikisht për kritikat e tij ndaj skuadrës së Chelsea, duke pretenduar se është shumë e vështirë t’i motivosh ata. Dje u raportua se lojtarët e skuadrës së tij tani kanë filluar t’i vënë në dyshim taktikat e italianit.
Megjithatë, Hazardi është shprehur i kënaqur me stilin e lojës të Sarrit, duke sugjeruar se ky është stili më i mirë i lojës që nga transferimi i tij te klubi londinez.
“Të gjithë trajnerët, për të cilët kam luajtur, më kanë dhënë diçka. Kur e nisa karrierën me Claude Puel në Lille dhe tani me Maurizio Sarrin. Të gjithë e shikojnë futbollin në mënyra të ndryshme dhe për këtë arsye jam lojtari që jam”, ka thënë Hazardi.
“Ata të gjithë më kanë dhënë këshilla të veçanta. Jose Mourinho ishte i veçantë, mirëpo mënyra se si Sarri dhe ish-trajneri im në Lille, Rudi Garcia, dëshirojnë të luajnë është më i përshtatshëm me stilin tim të lojës. Ata më kanë dhënë shumë gjëra mua”. /Gazeta Express/


