Ish-futbollisti i Manchester Unitedit, Phil Neville, beson se Marcus Rashfordi është një futbollist jashtëzakonisht i veçantë dhe mund të vlerësohet në të njëjtin nivel me yllin e Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappen.
Sulmuesi anglez dëshmoi se mund ta përballojë presionin kur arriti ta mposhtë portierin e Paris Saint-Germainit, Gianluigi Buffonin, nga pika e penalltisë në minutat shtesë të ndeshjes të së mërkurës, transmeton Gazeta Express.
Ky gol bëri që Manchester Unitedi ta fitojë ndeshjen kthyese me rezultat 3:1 dhe të kualifikohet në çerekfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, për shkak të epërsisë me gola të shënuar si mysafir.
“Në atë fushë ishin dy të rinj jashtëzakonisht të talentuar dhe të veçantë, Mbappe dhe Rashfordi. E kam thënë këtë gjë edhe para rreth tetë muajve, por unë besoj se Rashfordi e ka aftësinë të përmendet me të njëjtën frymë me Mbappen”, ka thënë Neville.
“Marcus është një lojtar tejet i veçantë. Ai është i klasit botëror. Po luan me arrogancë dhe vetëbesim. Anglia dhe Manchester Unitedi janë shumë me fat që e kanë dikë si ai në skuadër, me atë guxim, kurajë dhe shpejtësi”.
Ishte menduar se do të jetë e pamundur për skuadrën e Ole Gunnar Solskjaerit ta arrijë këtë triumf, për shkak të dominimit që PSG-ja kishte shfaqur në ndeshjen e parë dhe për shkak të numrit të madh të lëndimeve në skuadrën e “Djajve të kuq”, gjithsej dhjetë.
Megjithatë, Unitedi kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë të ndeshjes, përmes Romelu Lukaku, i cili shënoi përsëri, pasi e barazoi rezultatin Juan Bernat. Dhe në momentet e fundit të ndeshjes, Rashford arriti ta shënojë penalltinë, të cilën gjyqtari e akordoi pasi Presnel Kimpembe e preku topin me dorë brenda zonës së penalltisë. /Gazeta Express/


