Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka konfirmuar se mbrojtësi anësor vetaran, Antonio Valencia, do të largohet nga klubi në fund të këtij sezoni, pasi që klubi nuk ka arritur marrëveshje ta aktivizojë klauzolën për t’ia vazhduar kontratën edhe për një vit.
33-vjeçari ka luajtur në vetëm pesë ndeshje të Premierligës këtë sezon për “Djajtë e kuq”, pjesërisht për shkak të formës së dobët e pjesërisht për shkak të një numri lëndimesh, transmëton Gazeta Express.
Kapiteni i Manchester Unitedit nuk pritet t’i kthehet ndeshjeve të futbollit deri në fund të marsit dhe kontrata e tij skadon në fund të këtij sezoni. Klubi anglez ka kohë deri sot, në orën 18:00, për t’ia vazhduar kontratën edhe për një vit, por nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi.
Solskjaer shpreson se Valencia do të mundë të kontribuojë në fushën e lojës gjatë kohës që i ka mbetur në klub, deri në maj.
“Ai nuk është ende i rikuperuar 100 për qind. Ai është ende duke punuar për t’u rikuperuar dhe e ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme në Manchester Unitedit dhe Angli. Ai është njëri nga lojtarët e vetëm në zhveshtoren tonë që e ka fituar titullin e Premierligës”, ka thënë Solskjaer.
“Nuk besoj se Manchester Unitedi dhe Antonio do të arrijnë marrëveshje, kështu që nëse ai kthehet në fushë gjatë muajve në vazhdim, do të jetë kapiten. Shpresoj se do të arrij ta aktivizojë atë në ndonjë lojë deri në maj”. /Gazeta Express/


