Dy yjet e Barcelonës, Lionel Messi dhe Luis Suarez, nuk dominojnë vetëm në garën për golashënuesit më të mirë në La Ligë, por ata janë edhe dyshja më e rrezikshme në top pesë ligat më të mira të Evropës, me plot 31 gola të shënuar së bashku.
Partneriteti më i mirë i radhës është ai i dyshes së Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappes dhe Edinson Cavanit, që së bashku i kanë shënuar plot 25 gola. Asnjë dyshe në Premierligë nuk ka arritur t’i afrohet shifrës së Messit dhe Suarezit, përkundër që i kanë luajtur tri lojë më shumë, transmeton Gazeta Express.
Në Angli janë dy dyshe që kanë arritur të shënojnë baras gola, 22, dhe e kryesojnë listën e dysheve më të mira. Ata janë Harry Kane dhe Son Heung-min të Tottenhamit dhe Mohamed Salah me Sadio Mane të Liverpoolit. Ata ndiqen nga Perre-Emerick Aubameyang dhe Alexandre Lacazette të Arsenalit, me 21 gola.
Ndërsa në Gjermani, janë luajtur vetëm 17 ndeshje, mirëpo Paco Alcacer dhe Marco Reus të Borussia Dortmundit tashmë kanë arritur t’i shënojnë plot 23 gola së bashku gjatë ndeshjeve të këtij sezoni.
Ndërsa në Itali, ku janë luajtur baras ndeshje si në Spanjë, dyshja e Juventusit, Cristiano Ronaldo dhe Mario Mandzukic, e kryeson garën për dyshen më të suksesshme, me plot 22 gola.
PSG-ja është më së afërti në luftën kundër Messit dhe Suarezit, sidomos nëse dyshes së tyre i shtohen edhe 11 golat e Neymarit. Mirëpo, kur Barcelonës i shtohen edhe shtatë golat e Ousmane Dembele, atëherë katalonasit përsëri i kalojnë francezët, me dy gola më shumë.
Në La Liga, asnjë ekip nuk ka arritur të shënojë më shumë gola se dyshja Messi-Suarez. Vetëm Celta Vigo dhe Sevilla i janë afruar kësaj shifre, me 31 gola. /Gazeta Express/


