Mesfushori defansiv i Manchester Unitedit, Nemanja Matic, e ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij, Anthony Martial, duke thënë se ai mund të bëhet një ndër futbollistët më të mirë të Premierligës nëse e kupton çfarë potenciali të madh ka.
Francezi fillimisht e kishte pasur të vështirë të depërtojë në ekipin e parë në klub nën menaxhimin e Jose Mourinho, pas një sezoni të parë të mrekullueshëm në Angli nën Louis Van Gaal, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, 22-vjeçari i është kthyer formës së tij të vjetër pasi që trajneri Jose Mourinho është duke i besuar më shumë atij. Francezi ka arritur t’i shënojë katër gola në tri ndeshjet e fundit në Premierligë.
Kjo formë e mrekullueshme e Martialit ka bërë që ai të lavdërohet edhe nga bashkëlojtari i tij, Matic, i cili ka thënë se nëse do e kishte aftësinë dhe shpejtësinë e francezit, atëherë ai nuk do ta pasonte topin asnjëherë.
“Anthony është një lojtar i mrekullueshëm dhe ai duhet ta kuptojë këtë gjë. I nevojitet më shumë vetëbesim, por ai është ende i ri dhe mendoj se nëse vazhdon të shënojë gola edhe në ndeshjet në vazhdim, ai do të ketë më shumë vetëbesim”, ka thënë Matic.
“Nëse ai e arrin nivelin e tij më të lartë, ai mund të jetë një nga lojtarët më të mirë në ligë. Nganjëherë mendoj se ai nuk e kupton sa i mirë është. Është i shpejtë, është i mirë me topin, mund ta vrapojë. Ai ka gjithçka që i nevojitet një futbollisti të Manchester Unitedit”.
“Nganjëherë mendoj se ai nuk e kupton këtë gjë. Nëse unë do ta kisha aftësinë me topin dhe do të isha po aq i shpejtë sa ai, atëherë unë nuk do ta pasoja topin asnjëherë por do të tentoja të shënoja gola në çdo ndeshje”. /Gazeta Express/


