Portieri brazilian, Alisson Becker, e ka pranuar se ai dhe bashkëshortja kishin qarë para se ta merrnin vendimin për t’u larguar nga Roma dhe të transferohen në Liverpool, për 75 milionë euro.
Për 26-vjeçarin kishte shprehur interesim të madh trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, për shkak se kërkonte ta përforconte pozitën e portierit në skuadrën e tij. Braziliani konsiderohej si lojtari i përsosur për Kloppin për shkak të aftësive të tij për të luajtur edhe me këmbë, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, përkundër adhurimit që ka pasur gjithmonë për strategun gjerman, Alissoni ka bërë të ditur se e kishte pasur shumë të vështirë të vendoste për t’u transferuar në Liverpool, pasi që kishte qenë i lumtur edhe në Romë.
“Largimi nga Roma ishte i vështirë. Unë qava shumë, bashkë me gruan time. Duhet të jem i sinqertë për këtë gjë. Unë mora një vendim si profesionist, mora një hap të rëndësishëm për karrierën time, si dhe për Romën, të cilët fituan një shumë të madhe parash”, ka thënë portieri i Liverpoolit.
“Vendosa me kokën time për t’u transferuar në Liverpool, por zemra ime ishte plot me lot. Unë kalova dy vite të veçanta në Romë. Vajza ime lindi aty dhe kam shumë shokë edhe jashtë futbollit në atë vend”.
“Shumë herë unë e shpenzoja natën duke ecur nëpër rrugët e qytetit, në errësirë, është qytet shumë i bukur. Por, Koloseumi është vendi im i preferuar, mund ta ndiesh historinë e atij vendi”.
“Shpeshherë më shkoi në mendje të qëndroja sepse isha i lumtur në Romë, por kur një lojtar vendosë për të ardhmen e tij, atëherë është një diskutim shumë më i madh. Unë kam ambicie të mëdha, si Liverpooli, dhe tani po luaj në ligën më të mirë të futbollit në botë. Serie A nuk është shumë prapa, por është më ndryshe dhe futbolli është më pak intensiv”. /Gazeta Express/


