Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka bërë të ditur se do të ndërmerren masa ndaj Valladolidit pasi që fusha në stadiumin e tyre ishte në gjendje të keqe dhe nuk i përmbushi standardet e kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve në fushë.
Goli në minutën e 57-të nga Ousmane Dembele arriti t’ia sigurojë Barcelonës tre pikët e kërkuara, por kjo fitore mbeti nën hije pasi që të gjitha diskutimet pas saj ishin për gjendjen e fushës.
“Gjendja në fushën e stadiumit Jose Zorrilla nuk i plotësoi kushtet minimale të kërkuara për një garë si La Liga, kështu që ne do të fillojmë procedurat disiplinore ndaj tyre”, ka shkruar Tebas në Twitter.
Trajneri dhe lojtarët e Barcelonës ishin të zemëruar me gjendjen e fushës në stadiumin e Valladolidit. Qendërmbrojtësi Gerard Pique i kritikoi drejtuesit e La Ligës, pasi që sipas tij ata nuk duhet të fokusohen në zhvillimin e ndeshjeve të kësaj ligë në vendet e tjera, por duhet të përmirësojnë kushtet këtu.
“Para se ta shesim produktin tonë jashtë vendit, do të bënim mirë ta shikonim gjendjen njëherë këtu. Ata duan t’i dërgojnë lojtarët në SHBA, por gjendja e fushës sonte ishte e turpshme”, ka thënë Pique.
“Lojtarët rrezikuan të lëndohen. Ishte shumë e turpshme dhe shpresoj që veprime të mëtutjeshme do të ndërmerren sa i përket kësaj çështjeje”.
La Liga ka bërë zyrtare planet për të zhvilluar disa nga ndeshjet e rregullta të sezonit në SHBA dhe Kanada. Kjo marrëveshje do të jetë e vlefshme për 15 vite dhe do të krijojë një organizatë të re, të quajtur La Liga e Amerikës së Veriut. Kapitenët e klubeve të La Ligës e kanë refuzuar këtë marrëveshje, dhe i kanë kërcënuar drejtuesit e La Ligës me grevë nëse një gjë e tillë ndodhë. /Gazeta Express/


