Humbja e Liverpoolit në ndeshjen e mbrëmshme kundër Crvena Zvezdas e zemëroi mjaft shumë trajnerin e klubit anglez, Jurgen Kloppin, i cili kur u pyet për gabimet e skuadrës së tij, tha se i ka vetëm dhjetë gishta dhe nuk mund t’i numërojë të gjitha ato.
Skuadra e trajnerit gjerman u mposht me rezultat 2-0 në ndeshjen e zhvilluar dje në Beograd të Serbisë kundër Crvena Zvezdas. Liverpooli i pranoi që të dy golat në pjesën e parë të ndeshjes, por përkundër kohës që e pati në dispozicion, nuk arriti ta përmbysë rezultatin, përcjell Gazeta Express.
Milan Pavkovi i shënoi që të dy golat për Crvena Zvezdan, duke ia siguruar kështu skuadrës së tij fitoren e parë të këtij sezoni në Grupin C të Ligës së Kampionëve. Kjo fitore e serbëve e ka bërë grupin shumë të hapur.
Barazimi në ndeshjen mes Napolit dhe Paris Saint-Germainit ka bërë që Liverpooli tani të ketë pikë të barabarta me Napolin, një më shumë se kampioni francez dhe dy më shumë se Crvena Zvezda.
“I kam vetëm dhjetë gishta. Ne e kishin mundësinë e parë të mirë me Daniel [Sturridge], një mundësi kjo shumë e madhe. Çdo gol në ndeshje të tilla e drejton lojën në një kah specifik”, tha Klopp, kur u pyet për gabimet e skuadrës së tij.
“Atmosfera, në aspektin e zhurmës, nuk ishte problem për ne, por pas golit të dytë, ata mund ta nuhasnin se ne e bëmë shumë të lehtë për të. E meritonin atë për shkak të pasionit që e treguan”. /Gazeta Express/


