​Klopp: Diskutimi rreth pensionimit të Ozilit, hipokrit

PUBLIKUAR

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, mendon se diskutimet rreth fotografisë së Mesut Ozilit dhe Ilkay Gundoganit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, janë nxjerrë nga konteksti dhe është hipokrizi.

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil, dhe mesfushori i Manchester Cityt, Ilkay Gundogan, kishin bërë një fotografi me presidentin e Turqisë, Erdogan, gjatë vizitës së këtij të fundit në Londër në maj të këtij viti. Kjo fotografi u kritikua jashtëzakonisht shumë, si nga mediat ashtu edhe nga zyrtarë të Federatës së Futbollit të Gjermanisë, transmeton Gazeta Express.

Pasi Kombëtarja e Gjermanisë nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve në Kupën e Botës, Ozili mori shumë kritika edhe për performancat e tij. Pastaj, ai e postoi një letër trefaqëshe në Twitter për të treguar se ai po pensionohet nga Kombëtarja, ku shkruante se arsyeja e këtij largimi ishin kritikat e tepërta dhe racizmi me të cilin ishte përballur nga Federata e Futbollit të Gjermanisë dhe mediat gjermane.

Trajneri i Liverpoolit, Klopp, i cili e kishte pasur lojtar Gundoganit gjatë kohës kur ishte trajner i Dortmundit, beson se shumica e diskutimeve për këtë temë janë hipokrite.

“Ky është shembull tipik i një keqkuptimi të plotë dhe, natyrisht, e një të pavërtete të madhe. Në politikë, gjërat e vogla gjithmonë janë bërë të mëdha dhe gjërat e mëdha janë lënë anash”, ka thënë Klopp.

“Normalisht, njerëzit inteligjentë nuk i diskutojnë këto gjëra sepse nuk është e lehtë të thuash gjënë e duhur. E konsideroj veten një nga këta njerëz. Të gjithë ata që nuk e dinë se çfarë është duke ndodhur janë shumë të zhurmshëm në këto biseda”.

“Nuk kam dyshime për këta djelmosha, të paktën jo për besnikërinë ndaj vendit të tyre. Dallimi është se ata e kanë edhe një gjë tjetër në prejardhjen e tyre. Çfarë problemi ka këtu? Kjo është diçka e bukur”.

“Shumëllojshmëria kulturore mendohej si diçka vërtetë interesante në Kupën e Botës të vitit 2006. Unë e kisha parë një reklamë vërtet të mirë, ku prindërit e Gerald Asamoah  dhe të Mario Gomezit ishin së bashku duke ngrënë mish skare”.

“Dhe tani dy djelmosha u joshën të bëjnë fotografi me njerëz me inteligjencë politike, dhe kishin shumë pak mundësi të tregojnë se çfarë mendojnë 100 përqind”.

“Për këtë arsye, ky diskutim më duket hipokrit. Gjëra të këqija ndodhin sepse njerëzit nuk janë të mirinformuar. As mediat nuk duhet të krijojnë lajme rreth ngjarjeve të tilla cdo ditë. Vetëm largohuni për pak dhe vëzhgoni njerëzit pas këtyre ngjarjeve”. /Gazeta Express/

 

SHIKO MË SHUMË

Shqipëria zbret sot në fushë, sfidë e rëndësishme ndaj Finlandës

Kombëtarja e Shqipërisë rikthehet sonte në aksion, në një tjetër sfidë të Ligës së...

Erdhi me shumë bujë, Maran e lë në tribuna edhe për ndeshjen ndaj San Marinos!

Shqipëria përballet sot me San Marinon, por trajneri Rolando Maran ka vendosur të lërë...

Vushtrria pret kampionin e Kosovës, këto janë formacionet

Vazhdon edhe sot java e 3-të në Superligën e Kosovës. Kampionët e Ligës së Parë,...