Protagonist i Karikaturës së Ditës të Goal.com për ditën e enjte është mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, i cili dje tha se lojtari më i mirë në botë është Luka Modrici i Real Madridit, duke e lënë kështu anash bashkëlojtarin e tij, Lionel Messi.
Mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitic, beson se lojtari më i mirë në botë është bashkëkombësi i tij në Real Madrid, Luka Modric, duke e injoruar kështu bashkëlojtarin e tij në klubin katalonas, Lionel Messi, transmeton Gazeta Express.
Rakitici dhe Modrici ishin dy lojtarët kyç në skuadrën e Kroacisë për turneun e Kupës së Botës në Rusi, të cilët arritën deri në finale të kësaj gare, ku humbën kundër Francës me rezultat 4-2, dhe përfunduan duke e marrë medaljen e argjendtë.
Ylli i Real Madridit arriti ta fitojë çmimin për lojtarin më të mirë të Kupës së Botës, si dhe dy çmimet e UEFA-s për mesfushorin më të mirë të vitit dhe lojtarin më të mirë të vitit. Ai tani është emëruar në top treshen edhe për çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë.
“Luka është tani lojtari kryesor i La Ligës, ai është lojtari më i mirë në botë dhe ne, kroatët, jemi shumë krenar me të. Uroj që ai ta fitojë edhe Topin e Artë sepse e meriton atë”.
Në karikaturën e punuar nga Omar Momani, të publikuar në Goal.com, shihet Ivan Rakitici duke e lartësuar Luka Modricin. Ndërsa, anash është edhe Lionel Messi, i cili ndihet zemërthyer.
“Ivan Rakitici do të duhet t’i ikë takimit me Lionel Messin kur të kthehet për t’u stërvitur në Barcelonë, pas deklaratave se bashkëkombësi i tij, Luka Modric, është lojtari më i mirë në planet”, shkruan Goal.com në mbishkrimin e karikaturës. /Gazeta Express/



