Përkundër kritikave që ka marrë trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, kapiteni i skuadrës, Antonio Valencia, ka thënë që skuadra e mbështetë atë plotësisht.
Manchester Unitedi nuk ka arritur të sigurojë fitore në katër ndeshjet e fundit radhazi. Mbrëmë ata barazuan pa gola në Old Trafford në ndeshjen kundër Valencias. Kjo ndeshje ishte e vlefshme për xhiron e dytë të grupit H të Ligës së Kampionëve, përcjell Gazeta Express.
Skuadra e Mourinhos nuk arriti të performojë mjaftueshëm mirë për ta fituar ndeshjen për trajnerin e tyre, i cili kohët e fundit është kritikuar shumë në media, dhe thuhet se ai nuk ka më kontroll mbi lojtarët e tij në zhveshtore.
Strategu portugez nuk ka arritur të fitojë asnjë nga katër ndeshjet e fundit në shtëpi për herë të parë në karrierën e tij si trajner. Mourinho, i cili njihet për strategjitë e tij në repartin e mbrojtjes, po përballet me probleme të mëdha në këtë fazë dhe deri më tani në Premierligë, skuadra e tij ka marrë 14 gola.
Kur u pyet se a mbështetë skuadra Mourinhon, Valencia u përgjigj: “100 për qind. Ai është shefi ynë, ne duhet të jemi me të dhe jemi duke luftuar”.
Kohëve të fundit është raportuar për problemet mes Mourinhos dhe yllit të skuadrës, Paul Pogba. Për shkak të zënkës së tyre, ishte raportuar se edhe lojtarët tjerë ishin në anën e francezit. Por, këtë gjë e ka mohuar Valencia gjatë një interviste pas ndeshjes. /Gazeta Express/


