Ylli i Kombëtares së Anglisë dhe Tottenhamit, Harry Kane, e ka fajësuar gjyqtarin Danny Makkeliu për humbjen e mbrëmshme të Kombëtares së Anglisë kundër Spanjës në ndeshjen e parë të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Spanja arriti ta përmbysë rezultatin në Wembley nga 1-0 për Anglisë, duke siguruar fitore në fund me rezultat 2-1. Edhe pse Spanja u treguan më të mirë sa i përket performancës në pjesën më të madhe të ndeshjes, Kane dhe trajneri Gareth Southgate e fajësuan gjyqtarin për këtë humbje, përcjell Gazeta Express.
Kjo humbje, gjatë së cilës ylli i Manchester Unitedit, Luke Shaw pësoi një lëndim të rëndë në kokë, ishte humbja e tretë radhazi për Anglinë, rekordi më i keq ky që nga vitit 1998.
Në minutën e gjashtë shtesë, Danny Welbeckut iu anulua një gol, për faull ndaj De Geas, dhe kjo gjë bëri që De Gea t’ia sigurojë skuadrës së tij një fitore në Wembley. Megjithatë, sipas lojtarëve dhe stafit të Kombëtares së Anglisë, Welbecku nuk bëri ndërhyrje të parregullt në De Gean, kështu që goli duhej të ishte konsideruar i vlefshëm.
“Në këto momentet e mëdha, ne kemi nevojë që gjyqtari të qëndrojë i fortë. Por, për fat të keq, ai gaboi. Danny vetëm qëndroi aty, ai nuk i bëri ndërhyrje të palejuar ose diçka të tillë”, ka thënë Kane.
“Nganjëherë portierët trajtohen më mirë se ne, lojtarët e tjerë në fushë. Dhe kjo gjë është një fatkeqësi për ne. Unë mendoj se e meritonim të paktën një barazim. Ne ishim mjaft të mirë për shumë kohë”.
Me mendimin e Harry Kane u pajtua edhe trajneri i Kombëtares së Anglisë, Gareth Southgate. Por, ai e pranon që Spanja ishin më të mirë se ata.
“Dy mbrojtësit tentuan ta bllokojnë Welbeckun. De Gea u gjuajt mbi të dhe e humbi topin. Është e qartë për të gjithë se goli duhet të ishte lejuar. Por, ne gjithashtu e dimë se Spanja ishin më të mirë për periudha më të gjata gjatë 90 minutave të ndeshjes”, ka thënë Southgate. /Gazeta Express/


