Ish-skauti i Chelseat, Serge Daniel, ka bërë të ditur se ai e kishte sjellë yllin francez, Kylian Mbappe, në klubin londinez në vitin 2012, por transferimi i tij kishte dështuar pasi që Chelsea kërkonte që ai të shkonte edhe një herë në prova për ta parë përmirësimin e tij, gjë që nuk e kishte lejuar nëna e francezit.
Gjatë dy viteve të fundit, shumë herë është spekuluar për lidhjen mes Mbappes dhe Real Madridit, por Chelsea kishte qenë klubi i parë i madh i interesuar për francezin, por ata e kishin humbur mundësinë e transferimit të tij pasi që nuk ishin të kënaqur me angazhimin e tij në mbrojtje, transmeton Gazeta Express.
“Chelsea ishte klubi i parë që i ofroi atij prova. E bëmë këtë edhe para Real Madridit. E kisha një shok që punonte për Nike, Denis Chantron, dhe kur isha në Francë, e takova atë dhe ai më tha: ‘A ke dëgjuar për një djalosh të vogël të quajtur Mbappe? Ai luan për Bondyn, një klub të vogël nga Parisi’”, ka thënë Daniel.
“Unë thashë se nuk e kisha parë dhe ai më këshilloi ta vëzhgoj. Shkova në Bondy dhe e pashë se ai djalosh ka diçka të veçantë. I tregova Chelseat për të dhe ia dorëzova pjesën tjetër të punës atyre”.
“E solla atë në Chelsean me familjen e tij, ishte shumë i talentuar, siç është edhe tani. Ai luajti në ndeshjen kundër Charltonit dhe fituam më rezultat 7-0. Pas një jave me Chelsean, shkuan në zyrë. Ne i thamë se e vlerësojmë atë shumë, por duam ta ftojmë edhe për një provë tjetër”.
“Ende e mbaj mend se çfarë na tha nëna e tij. Ajo foli frëngjisht dhe tha: ‘Shikoni, djali im nuk do të kthehet. Nëse e doni, merreni tani ose pas pesë viteve, do të duhet të paguani 50 milionë euro’. Unë isha duke përkthyer dhe i thashë asaj: ‘Jo, s’mund t’ua them këtë, është shumë arrogante’”.
“Por, ajo kishte pasur të drejtë. Madje, çmimi i tij nuk ishte 50 milionë, por 180 milionë. Ajo e dinte talentin e djalin të saj dhe pati të drejtë. Por, Chelsea dëshironte ta shihnin përsëri në prova, pasi që nuk ishim të bindur se ai ishte mjaftueshëm punëtor për t’u përfshirë edhe në repartin e mbrojtjes”.
“Ata duhet ta kishin transferuar. Megjithatë, është e lehtë ta them këtë gjë tani. Por, në atë kohë, në vitin 2012, Chelsea veçse e kishin një skuadrën shumë të mirë”. /Gazeta Express/


