Ish-portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, ka bërë të ditur se ai e respekton sinqeritetin e trajnerit Pep Guardiola, kur ai e largoi anglezin nga skuadra. Sipas tij, kritikat për stilin e tij të lojës ishin të tepërta dhe u lanë anash gjërat që kanë më shumë rëndësi.
Portieri anglez kishte qenë numri një i Manchester Cityt deri në momentin kur në pozitën e trajnerit u emërua Guardiola, i cili e dërgoi portierin në huazim në Torino dhe West Ham. Guardiola, gjithashtu, i bleu dy portierë të rinj, Claudio Bravon dhe Edersonin, transmeton Gazeta Express.
31-vjeçari tani është transferuar në Burnley dhe është duke e shijuar futbollin në Premierligë përsëri. Për më tepër, ai thotë se nuk mban mëri ndaj ish-trajnerit të tij, përkundër që nuk e respekton mendimin e tij.
“Jam mirë me Pepin, mendoj se ai është një ndër trajnerët më të mirë. Ai erdhi dhe u tregua shumë i sinqertë me mua. E shikova në sy dhe ia dhashë dorën, e falënderova për sinqeritetin e tij”, ka thënë Hart.
“Unë nuk e falënderova për mendimin e tij, por ai u tregua njeriu më i sinqertë në botë. Ne tentuam të nxjerrim më të mirën nga ajo situatë e keqe për të dy palët. Ishte ashtu siç ishte”.
“Unë e harrova atë moment, punova shumë, stërvita me Cityn, më mirëpritën gjatë dy turneve të fundit parasezonal. Mund të kishte qenë shumë lehtësisht një situatë e pakëndshme, por nuk ishte kështu”. /Gazeta Express/


