Trajneri argjentinas i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, beson se skuadra e tij mund të bëhet ndonjë ditë po aq e suksesshme sa skuadra e Real Madridit dhe pastaj këto dy klube do të konsiderohen në të njëjtin nivel.
Tottenhami është shndërruar në njërën ndër ekipet më të mirë në Angli që nga emërimi i Pochettinos në pozitën e trajnerit, mirëpo ende nuk ka arritur ta fitojë asnjë trofe që nga viti 2008, transmeton Gazeta Express.
Përderisa triumfi në Premierligë dhe në Ligën e Kampionëve nuk ka shumë gjasa të ndodhë, Tottenhami u eliminua edhe nga Carabao Cup dhe FA Cup javën e kaluar. Përkundër këtyre dështimeve, Pochettino insiston se klubi i tij është në rrugë të drejtë dhe se stadiumi i tyre i ri do t’u ndihmojë ta ngritin nivelin e klubit.
“A e shoh ndonjë pikë kur Tottenhami do të jetë në të njëjtin nivel me Real Madrid? Në të ardhmen, natyrisht. Unë besoj se Tottenhami do ta ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme që ndonjë ditë ta arrijë këtë gjë”, ka thënë Pochettino.
“Kjo ka të bëjë me besimin dhe me ndërtimin e historisë. Është e vështirë, por është normale kur dëshiron të garosh kundër këtyre ekipeve të mëdha. Por, mendoj se Tottenhami do ta ketë infrastrukturën që një ditë të bëhet klub i të njëjtit nivel me Real Madridin”.
“Nuk mund ta premtoj këtë gjë [se do të rri si trajner i Tottenhamit për një kohë të gjatë]. Shikoni, kjo varet nga vlerësimet e drejtorit, nga vendimet e kompanisë. Nuk jam unë i vetmi njeri që do ta marrë këtë vendim”. /Gazeta Express/


