Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka bërë të ditur se ai kërkon nga lojtarët e tij që të përmirësohen, si dhe është shprehur i zemëruar dhe i mërzitur me ta për shkak se i gabonin pasimet dhe gjërat e lehtë gjatë ndeshjes kundër Fulhamit.
Skuadra e Guardiola arriti të sigurojë fitore me rezultat bindës 3-0 kundër Fulhamit. Golin e parë të ndeshjes e shënoi gjermani i talentuar, Leroy Sane, qysh në minutën e 2’ të ndeshjes, ndërsa dy golat e tjerë u shënuan nga mesfushori David Silva dhe në fund sulmuesi Raheem Sterling për 3-0, përcjell Gazeta Express.
Megjithatë, strategu spanjoll nuk është shprehur i kënaqur me performancën e skuadrës së tij në këtë ndeshje për shkak të gabimeve që bënin lojtarët e tij. Ai e shprehu pakënaqësinë e tij edhe gjatë ndeshjes, mirëpo këtë gjë e bëri edhe më të qartë në intervistat me mediat.
“Jam i zemëruar. Jam i mërzitur me lojtarët e mi dhe ata e dinë këtë gjë. Unë reagoj kur ata i gabojnë gjërat e lehta, në këto raste unë nuk mund ta kontrolloj veten”, ka thënë Guardiola.
“Kur një lojtar ka topin dhe nuk e bëjnë një pasim të thjeshtë, por bëjnë një pasim më tepër se që duhet, një driblim më tepër dhe ata e humbin topin, unë zemërohem. Jam vërtetë i mërzitur me lojtarët e mi. E dinë këtë gjë pasi që i kam folur edhe atyre”.
“Nëse ata nuk shënojë gol ose nuk bëjnë një asist, mua nuk më intereson. Nëse ata janë duke dribluar dhe e humbin topin, kjo nuk ka rëndësi”.
“Por, për kontrollimin e topit dhe për bërjen e pasimeve të thjeshta, nëse i humbin këto, siç i bënë shpesh të shtunën, unë zemërohem. Për këtë arsye, unë do t’ia dëshmoj atyre se mund të përmirësohem”. /Gazeta Express/


