Sulmuesi i Chelseat, Olivier Giroud, ka thënë se ai dhe Eden Hazardi kanë biseduar me Nabil Fekirin për mundësinë e transferimit të tij në klubin londinez.
25-vjeçari dukej se do të transferohej në Liverpool pasi që dy klubet kishin arritur marrëveshje. Por, pak kohë para Kupës së Botës, transferimi i tij dështoi papritmas dhe tani për tani ai është lojtar i Lyonit, transmeton Gazeta Express.
Sulmuesi francez ka thënë se skuadra e Chelseat do ta mirëpriste transferimin e tij, pasi që ai është një lojtar i mrekullueshëm.
“Kam biseduar me të kur ishim bashkë me Kombëtaren e Francës, kur transferimi i tij në Liverpool dështoi. Pastaj ne biseduam për Chelsean, dhe mendoj që edhe Edeni [Hazard] ka biseduar më të gjithashtu”, ka thënë Giroud.
“Normalisht, ne do ta mirëprisnim atë, ai është një lojtar i mrekullueshëm, por unë nuk e di nëse kjo është diçka që mund të ndodhë para se të mbyllet afati kalimtar të enjten”. /Gazeta Express/


