Barcelona e ka emëruar Sergi Barjuanin në postin e trajnerit të përkohshëm të skuadrës, një ditë pas shkarkimit të Ronald Koemanit.
Ronald Koeman u shkarkua nga posti i trajnerit të Barcelonës të mërkurën, menjëherë pas humbjes 1:0 kundër Rayo Vallecanos, raporton Gazeta Express.
Humbja në Vallecano ishte e treta nga katër ndeshjet e fundit në La Liga për Barçën dhe i solli fundin në Camp Nou trajnerit holandez.
Barcelona ka vendosur që ta emërojë Barjuan, trajnerin e tanishëm të Barça B, në ekipin e parë deri në zyrtarizimin e trajnerit të ri.
“FC Barcelona njofton se Sergi Barjuan, trajneri i tanishëm i Barça B, do ta marrë drejtimin e ekipit të parë përkohësisht. Ai do ta mbajë postin e trajnerit të përkohshëm derisa klubi ta emërojë trajnerin e ri pas shkarkimit të Ronald Koemanit”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.
Barjuan do të stërvitë ekipin e parë të Barcelonës sonte për herë të parë dhe do ta udhëheqë atë në takimin e fundjavës kundër Alavesit në La Liga.
Raportohet se Barcelona ka arritur marrëveshje me Xavi Hernandezin, trajnerin e tanishëm të Al Sadd.
Ish-kapiteni i Barcelonës, trajner i tanishëm i Al Sadd, është pajtuar tashmë për ta marrë postin e trajnerit në Camp Nou, megjithëse ai duhet të bisedojë me klubin e Katarit për largimin e parakohshëm.
Emërimi i Xavit pritet javën e ardhshme, pasi ai ta ketë shkëputur marrëveshjen me klubit e Katarit. /Gazeta Express/