Edhe Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për ushtrimin me ambasadën amerikane në Prishtinë. Ky ushtrim do të mbahet të premten nga ora 15:00 deri në 21:00 dhe do të përfshijë zonën pranë objektit të ambasadës.
“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me ambasadën Amerikane në Prishtinë, njofton opinionin publik se të premten, më 12 dhjetor nga ora 15:00 -21:00, do të realizoj një ushtrim të gjerë në Prishtinë, përfshirë zonën pranë objektit të Ambasadës Amerikane, e cila gjendet në lagjen Arbëria të Prishtinës.”
Policia thotë se ushtrimet e përbashkëta me ambasadën e Amerikës janë “një tregues i forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit në siguri dhe për të siguruar gatishmërinë në menaxhimin dhe reagimin ndaj situatave emergjentë, dhe të çfarëdo incidenti të mundshëm në Kosovë”.
Sipas Policisë përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente.
“Përmes këtij ushtrimi synohet testimi i kohës së reagimit, efektiviteti dhe efikasiteti i zyrtarëve dhe pajisjeve, si dhe komunikimi e koordinimi ndërmjet njësive dhe institucioneve relevante në situata emergjente, ku kërkohet garantimi i një ambienti të sigurt për qytetarët, stafin diplomatik dhe institucionet e Kosovës.”
Pjesëmarrja në këtë ushtrim do të përfshijë, prani të shtuar të Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane, përdorim të shtuar të mjeteve dhe pajisjeve të ndryshme policore siç janë altoparlantët, sirenat e mjetet të ndryshme logjistike policore.
“Pra ky do të jetë vetëm një ushtrim e jo veprim policor ndaj një incidenti të vërtetë, andaj kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë. Për ndonjë informacion apo udhëzim shtesë mund të kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192, ose në [email protected] si dhe të ndiqni faqet zyrtare të Policisë së Kosovës.”


