Gjatë ditë së sotme u shënua Dita Botërore e Mushkërive me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”.
Përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në facebook, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se tuberkulozi mbetet një sfidë për shëndetin publik edhe në Kosovë, duke shënuar 548 raste gjatë vitit të kaluar 2024. /LipjaniNews/
Postimi i plotë:
Dita Botërore e Mushkërive – 25 Shtator 2025
Me moton “Mushkëri të shëndetshme, jetë e shëndetshme”, shënohet Dita Botërore e Mushkërive.
Kjo ditë synon rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjet që prekin mushkëritë dhe ndikimin e tyre në jetën e miliona njerëzve në botë.
Sëmundjet e mushkërive përfshijnë një gamë të gjerë çrregullimesh që dëmtojnë organet e frymëmarrjes dhe aftësinë e trupit për të marrë oksigjen. Ato janë ndër shkaqet kryesore të vdekshmërisë në botë.
Sipas raportit global për sëmundjet respiratore, miliona persona preken çdo vit nga sëmundje si: sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK), astma, pneumonia, tuberkulozi dhe kanceri i mushkërive, të cilat shkaktojnë vdekje në shkallë të gjerë.
Edhe në Kosovë, tuberkulozi mbetet sfidë për shëndetin publik. Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 548 raste me një incidencë prej 34.3 për 100,000 banorë. E ritheksojmë se diagnostikimi dhe trajtimi i tuberkulozit ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore të vendit tonë.
Përveç tuberkulozit, sëmundjet e tjera të organeve të frymëmarrjes, përfshirë astmën dhe bronkitin kronik, vazhdojnë të jenë shkaktarë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në vend.
Prandaj, kujdesi për shëndetin e mushkërive dhe ndërgjegjësimi për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve respiratore është detyrë e secilit, për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.