Rama: Kosova nuk i përket LVV-së, Kurtit apo një narrative të vetme – t’i rezistojmë kësaj tendence

PUBLIKUAR

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është përfshirë në debatin për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ai ka hedhur kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për mos-zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme. Ajo u përket qytetarëve të saj”.

“Situata që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës është thellësisht shqetësuese dhe pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike. Ajo që po shohim nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve”, tha ndër të tjera kreu i kryeqytetit, raporton Klankosova.tv.

Ai tha se Kosova është ndërtuar mbi parimet e pluralizmit, transparencës dhe llogaridhënies dhe se asnjë parti e vetme, pavarësisht fuqisë së mandatit që ka, “nuk ka të drejtë t’i tejkalojë këto parime apo t’i trajtojë institucionet shtetërore si zgjatje të makinerisë së saj politike”.

“Megjithatë, pikërisht drejt kësaj rruge jemi duke shkuar”, shton më tej Përparim Rama.

Ai tha se “Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit”.

“Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen. Kuvendi, që duhet të jetë zemra e debatit të hapur dhe përfaqësimit, rrezikon të shndërrohet në një vulë formale, në vend se të mbetet një forum i vërtetë i llogaridhënies”, deklaroi Rama.

Kryetari i Prishtinës tha se kjo qasje po ndikon te qytetarët. Sipas tij, qeverisja duhet t’i fuqizojë komunat, të nxisë bashkëpunimin dhe t’u shërbejë nevojave reale të njerëzve, “jo të shtrëngojë kontrollin politik nga qendra”.

“Duhet t’i rezistojmë çdo tendence për monopolizim politik. Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas. Ajo kërkon përmbajtje, përfshirje dhe respekt për institucionet”.

“Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan. E ardhmja jonë varet nga mbrojtja e normave demokratike, jo nga zbehja e tyre”, u shpreh kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. /Klankosova.tv

SHIKO MË SHUMË

Bahtiri thotë se te LDK-ja i kërkoi nënshkrimet “pasi u konsultua me Kurtin”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka shkuar tek zyrat e grupit parlamentar të...

LDK e përsërit: I kemi 15 nënshkrime, presidenti duhet të zgjidhet me konsensus!

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka deklaruar se Vetëvendosje nuk ka...

Kurti: Hatixhe Hoxha, e gatshme të tërhiqet nga gara – LDK të vijë me 15 nënshkrimet dhe emrin e kandidatit

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të dytë për media në pak kohë, tha...