Një ngjarje e rëndë është raportuar sot nga Policia e Kosovës, ku një fëmijë pesëvjeçar nga Lipjani është dërguar në Emergjencën Qendrore të Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda dhe dyshimeve për kequshqyerje.
Prindërit e tij janë arrestuar për shkak të shkeljes së detyrimeve familjare.
Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar se dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Ndërkohë, zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, ka konfirmuar për lajmi.net se fëmija 5-vjeçar ka shenja të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime gangrenoze dhe hipotrofisë, me dyshim për kequshqyerje. Fëmija ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe psikologjike, dhe është hospitalizuar në Klinikën e Pediatrisë – Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik për trajtim dhe monitorim të mëtejshëm.
“Trajtimi intensiv i plagëve po vazhdon, ndërkohë që janë realizuar konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik, ortopedin, psikologun, psikiatrin e fëmijëve dhe punëtori social, për të ofruar mbështetje të plotë mjekësore dhe psikosociale,” ka shtuar Shala.
Fëmija aktualisht ndodhet nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, pa praninë e prindërve apo kujdestarit ligjor, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në Lipjan dhe se prindërit janë arrestuar për moskujdes dhe shkelje të detyrimeve familjare. /Lajmi.net/


