Procesi zgjedhor nis pa probleme në të gjithë Kosovën, KQZ raporton nga konferenca e parë

PUBLIKUAR

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot konferencën e parë për media në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke njoftuar se procesi zgjedhor ka nisur me kohë dhe pa pengesa në të gjitha Qendrat e Votimit në vend.

Sipas Valmir Elezit, zëdhënësit të KQZ-së, në orët e hershme të mëngjesit është bërë shpërndarja e plotë e materialit zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, në të gjitha Qendrat e Votimit.

“Bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, procesi i votimit ka filluar në të gjitha qendrat në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”.

Këtë vit, votimi po zhvillohet në gjithsej 948 Qendra të Votimit, me 2,614 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra me 2,557 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një për secilën komunë, me gjithsej 57 vendvotime, janë në dispozicion për votimin me kusht.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që mund të votojnë sot është 1,999,204, të shpërndarë në 38 komunat e Kosovës.

KQZ u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Po ashtu, është rikujtuar se përmes platformës elektronike të KQZ-së, secili votues mund të verifikojë lehtësisht Qendrën e Votimit ku është i caktuar të votojë.

Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, KQZ ka certifikuar gjithsej 24 subjekte politike për pjesëmarrje, përfshirë 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1,180, prej të cilëve 789 janë kandidatë dhe 391 kandidate gra, të cilët garojnë për ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

KQZ ka paralajmëruar se gjatë ditës do të vazhdojë me informime të rregullta për ecurinë e procesit zgjedhor.

SHIKO MË SHUMË

“Vidovdani” në Gazimestan: Shoqërohen në polici 37 persona

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë manifestimit të “Vidovdanit” gjatë ditës së sotme,...

Policia shqipton mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

e Kosovës ka shqiptuar 1561 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të...

IKSHPK del me thirrje: Mbrohuni nga temperaturat e larta, kujdesuni për foshnjat, fëmijët e të moshuarit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me thirrje e këshilla për t’u mbrojtur...