Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë ka reaguar e shqetësuar pas vendosjes së pagesës prej 3 euro për familjarët përcjellës të pacientëve në klinikat e QKUK.
Përmes një reagimi në Facebook, ata kanë bërë thirrje institucioneve që të heqin këtë tarifë dhe të shtojnë kapacitetet brenda spitalore për të përmbushur nevojat e pacientëve.
“PRAK vlerëson se sfidat infrastrukturore dhe organizative të spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes politikave të qëndrueshme që: forcojnë kapacitetet e personelit,
përmirësojnë shërbimet mbështetëse dhe sigurojnë standarde dinjitoze të qëndrimit për pacientët”, thuhet mes tjerash në reagim
Reagimi i plotë:
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) shpreh shqetësimin lidhur me vendosjen e pagesës ditore për familjarët/përcjellës të pacientëve në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme.
PRAK thekson se përcjellësi nuk është vizitor, por shpesh pjesë e domosdoshme e kujdesit ndaj pacientit. Familjarët ndihmojnë në sigurimin e barnave dhe analizave jashtë institucionit publik, ushqyerje, higjienë, mobilizim dhe mbështetje emocionale, veçanërisht për fëmijët, pacientët e moshuar, kronikë ose me kufizime funksionale.
Vendosja e një pagese për këtë rol krijon barrë shtesë për familjet, prek në mënyrë disproporcionale kategoritë e ndjeshme dhe rrezikon të penalizojë një mekanizëm mbështetës që vet sistemi e konsideron të nevojshëm.
PRAK vlerëson se sfidat infrastrukturore dhe organizative të spitaleve nuk duhet të zgjidhen përmes tarifimit të familjarëve, por përmes politikave të qëndrueshme që:
forcojnë kapacitetet e personelit,
përmirësojnë shërbimet mbështetëse,
dhe sigurojnë standarde dinjitoze të qëndrimit për pacientët.
PRAK i bën thirrje institucioneve që të heqin këtë tarifë dhe të shtojnë kapacitetet brenda spitalore për të përmbushur nevojat e pacientëve. Një institucion që dëshiron të punojë drejtë, qasja e tij fillon duke adresuar nevojat e njerëzve për shërbime, e jo duke i sanksionuar ato.
Pacienti nuk duhet të ndëshkohet për faktin që ka nevojë për mbështetje.
Me respekt,
PRAK


