Policia njofton për planin dhe angazhimet policore në mbarëvajtjen e zgjedhjeve sot

PUBLIKUAR

Policia ka njoftuar planin dhe angazhimet policore në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në Kosovë.

“Me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin  njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës. Zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.”

Policia thotë se sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është:

– Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

– Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve.

– Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

– Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Policia shton se ka caktuar zyrtarë/ hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e cdo rasti që lidhet me zgjedhjet.

“Sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, Policia e Kosovës ka caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.”

SHIKO MË SHUMË

8 raste të reja me fruth në Kosovë, IKSHPK apel për vaksinim urgjent

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) njofton se në periudhën 16–30 prill...

Gjini pas takimit për datën e zgjedhjeve: Pati dakordancë për 7 qershorin

Ardian Gjini nga AAK-ja, pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena...

Hamza para takimit me Haxhiun: Për ne është e pranueshme cilado datë për zgjedhjet e reja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se nuk kanë ndonjë datrë...