Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në SHBA është takuar sot me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtyre takimeve, Osmani ndër të tjera ka ripërsëritur se tendencat e Serbisë janë destabilizuese dhe prezenca e Rusisë e Kinës në rajon është gjithnjë e më e rrezikshme.
“Osmani vuri theks edhe në zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën gjithnjë e më të rrezikshme të Rusisë e Kinës. Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thuhet në komunikatën për medie të Presidencës.
Osmani, u takua me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Në Këshillin e Sigurisë të Shtëpisë së Bardhë, Presidentja Osmani takoi zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën në këtë Këshill, Amanda Sloat, si dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Robin Brooks.
Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të fuqishme Kosovë-SHBA dhe nevojën për angazhim të vazhdueshëm për harmonizim të mëtjemë të prioriteteve të përbashkëta strategjike për forcimin e sundimit të ligjit, sikurse edhe sigurimin e paqes e sigurisë së qëndrueshme në rajonin tonë.
Presidentja Osmani theksoi po ashtu rëndësinë e kësaj aleance disa dekadëshe dhe ndikimin pozitiv që ajo ka pasur tek qytetarët e Kosovës, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimit të rëndësishëm të SHBA-ve dhe përkushtimit ndaj demokracisë.



