Avokati i Popullit shpreh shqetësim lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të datës 2 dhjetor 2025, për moscertifikimin e partisë politike Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

Ky vendim, i cili refuzon për herë të dytë kërkesën e këtij subjekti politik, konsiderohet i paarsyeshëm dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

Avokati i Popullit thekson se përshtatshmëria politike vendoset nga qytetarët përmes votës së lirë dhe jo nga vendime administrative.

Sipas tij, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është një nga shtyllat thelbësore të demokracisë, dhe shteti ka detyrimin të sigurojë kushte të barabarta dhe procedura të drejta për të gjithë subjektet politike.

“Çdo ndërhyrje e pajustifikuar që pengon pjesëmarrjen e një subjekti politik cenon të drejtën themelore dhe ndikon drejtpërdrejt në integritetin e procesit zgjedhor,” thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit rikujton se të gjitha subjektet politike që paraqitën kandidaturat për zgjedhjet e parakohshme kaluan procedurat ligjore të verifikimit dhe kontrollit, dhe se KQZ-ja kishte detyrimin të certifikonte subjektet që plotësojnë kërkesat ligjore.

Ai shton se ndërhyrjet që ndalojnë pjesëmarrjen e një partie duhet të bazohen vetëm në ligj të qartë dhe vendime të gjykatës, e jo në qëndrime politike.

Avokati i Popullit mirëpret reagimet e aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët theksuan se moscertifikimi i një subjekti politik cenon të drejtat e njeriut dhe besimin në procesin zgjedhor.

Ai kërkon nga organet kompetente që të rishikojnë vendimin e KQZ-së dhe të veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, duke garantuar mbrojtjen e së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. /Telegrafi/