Mesazh Urimi me rastin e Fitër Bajramit nga Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame Lipjan, Zaim ef. Baftiu

PUBLIKUAR

Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra!
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Lipjan, ju shprehim urimet më të përzemërta me rastin e Fitër Bajramit, festës së bekuar që vjen pas një muaji sakrifice, përkushtimi dhe afrimi me Krijuesin. Kjo ditë e veçantë është shpërblim për agjërimin, lutjet dhe veprat e mira të muajit të Ramazanit, dhe na kujton rëndësinë e devotshmërisë dhe pastrimit shpirtëror.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm” (El-Bekare, 183)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. ka thënë:
“Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzimin kur hap iftari, dhe gëzimin kur të takojë Zotin e Tij me agjërimin e tij.”

Fitër Bajrami është më shumë se një festë, është një mesazh i gjallë i unitetit, solidaritetit dhe dashurisë. Ramazani na mësoi të forcojmë lidhjet me familjen, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të mos harrojmë ata që kanë më pak. Kjo ditë merr kuptim të plotë kur gëzimi i saj ndahet me të gjithë dhe kur shtrijmë dorën e ndihmës për ata që kanë nevojë.

Gjatë muajit të bekuar, Këshilli i Bashkësisë Islame në Lipjan, përmes Imamëve në xhamitë tona, përcolli mesazhe të rëndësishme nga Kurani për ruajtjen e besimit, familjes dhe vlerave fetare e kombëtare. Departamenti i Gruas organizoi ligjërata dhe aktivitete për gjininë femërore, shumë nxënës u angazhuan në mësim-besim, ndërsa Shoqata “Bereqeti” falë donatorëve me bujarinë e tyre u bë sofër dhe shpresë për familjet skamnore, duke i dhënë kuptim vlerave më të larta të humanizmit dhe solidaritetit në vendin tonë.

Shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë besimtarët që vizituan xhamitë tona, për nxënësit që ndoqën mësimin në xhami, për donatorët bujarë dhe për të gjithë ata që kontribuan në këtë muaj të bekuar.
Lutemi që Allahu t’i pranojë adhurimet tuaja, t’ju shpërblejë me të mirat e Tij dhe t’ju dhurojë shëndet, paqe dhe begati në familjet tuaja.
Zoti e bekoftë dhe e ruajtë popullin dhe vendin tonë!
Gëzuar Fitër Bajramin!

SHIKO MË SHUMË

Ndërron jetë ish-kryetari i Lipjanit

Ish- kryetari i komunës së Lipjanit, Ismajl Jashari ka ndërruar jetë. Lidhur me këtë, kryetari...

Prokuroria lëshon autorizim për hetim ndaj zyrtarëve të QPS në Lipjan lidhur me rastin e pesë vjeçarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizime shtesë për hetim me qëllim të identifikimit...

Rasti i Lipjanit: Ministria s’është në dijeni pse QPS i ktheu fëmijët te familja

Rasti i familjes së 5-vjeçarit nga Janjeva e Lipjanit që dyshohet se u keqtrajtua...