Dy biznese që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve janë mbyllur gjatë aksionit të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operacional të inspektimeve ndaj bizneseve të këtij sektori në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrolleve të realizuara sot janë kryer gjithsej 14 inspektime. Si rezultat i tyre, dy biznese janë mbyllur për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa dy biznese të tjera janë gjobitur për mosrespektim të orarit të punës.
IQMT ka rikujtuar se çdo subjekt ekonomik që ushtron veprimtari në këtë sektor është i obliguar t’i përmbushë të gjitha kërkesat ligjore, përfshirë sigurimin e pëlqimit për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe garantimin e një tregu të rregullt, transparent dhe të sigurt”, thuhet në njoftim.


