Manchester City e ka mposhtur 6:3 Leicester Cityn në një ndeshje dramatike të dielën, duke e çuar në nëntë ecurinë e fitoreve radhazi në Premierligë dhe duke e forcuar vendin e parë në tabelë.
Ndërkohë, në ndeshjet e tjera të zhvilluara në atë që njihet si “Boxing Day” në Premierligë, Arsenali e shkatërroi 5:0 Norwich Cityn dhe Tottenhami fitoi bindshëm 3:0 kundër Crystal Palace, raporton Gazeta Express.
Kampioni në fuqi i Anglisë e kishte krijuar një epërsi prej 4:0 pas pjesës së parë në Etihad falë golave nga Kevin De Bruyne, Riyad Mahrez, Ilkay Gundogan dhe Raheem Sterling, por Leicesteri ia doli të kthehej në lojë, të paktën përkohësisht, menjëherë në fillim të pjesës së dytë duke shënuar tri herë brenda rreth 10 minutave përmes James Maddison, Ademola Lookman dhe Kelechi Iheanacho.
Megjithatë, reagimi i skuadrës së Pep Guardiolës ishte i menjëhershëm pasi tre minuta më vonë, Aymeric Laporte ua shoi shpresat vizitorëve për një rikthim të mundshëm sensacional, duke e kthyer epërsinë prej dy golave për të kaltrit e Mançesterit.
Sterling me golin e dytë personal në ndeshje e vulosi fitoren e nëntë radhazi për skuadrën e Guardiolës në minutën e 87-të.
Ndërkohë, për triumfin e Arsenalit ndaj Norwich City në Carrow Road shënuan Bukayo Saka dy herë, ndërsa Kieran Tierney, Alexandre Lacazette dhe Smith Rowe nga një herë.
Tottenhami i Antonio Contes e mundi lehtësisht 3:0 një skuadër me 10 futbollistë të Crystal Palace në Londër.
Harry Kane, Lucas Moura dhe Son Heung-Min shënuan nga një herë për triumfin e Spurs.
Manchester City tani mbledh 47 pikë pas 19 ndeshjeve dhe renditet i pari në tabelë, duke e lënë mbrapa Liverpoolin me 41 pikë. Të kuqtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar pasi takimi i tyre me Leeds United i paraparë për sot u shty shkaku i shpërthimit të koronavirusit te kjo e fundit.
Chelsea, që takohet sot më vonë me Aston Villën, është i treti me 38 pikë.
Arsenali e mbyll top katërshen e Premierligës me 35 pikë nga 19 ndeshje, i ndjekur nga Tottenhami me 29 pikë por tri ndeshje më pak të zhvilluara.
Norwichi, për të cilin Milot Rashica i Kosovës mungoi shkaku i lëndimit, kjo ishte humbja e katërt radhazi dhe si pasojë bën ai të mbetet i fundit në tabelë me vetëm 10 pikë, tri larg zonës së shpëtimit nga rënie prej ligës. /Gazeta Express/



