Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ligjëratën e mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe YIHR.
Siç thuhet në reagim SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj mbajtjes së ligjëratës në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e realizuar nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
Tutje thuhet se SBASHK e konsideron të papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e një narrative të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.
“Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa fakti që për më shumë se pesë vite mbahen në paraburgim luftëtarët e lirisë, bashkëpunëtorë të NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës – për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për arsimim. Është e pamohueshme se gjatë viteve të represionit serb, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, përfshirë edhe Gjimnazin ‘Xhevdet Doda’. Pikërisht në atë periudhë të errët, mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit, të organizuar edhe përmes SBASHK-ut, mbajtën gjallë arsimin shqip me sakrifica të jashtëzakonshme. Prandaj, është paradoksale, e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që po gjykon njëanshëm luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke e barazuar viktimën me agresorin”, thuhet në reagim.
SBASHK reagon gjithashtu edhe ndaj përfshirjes së organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila përmes këtij aktiviteti ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike, kombëtare dhe arsimore të shoqërisë sonë. U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse – Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” – që të marrin masa konkrete lidhur me këtë rast dhe të mos lejojnë që shkollat të shndërrohen në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.
“Njëkohësisht, SBASHK apelon te të gjithë anëtarët tanë, punëtorët e arsimit në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale e kombëtare, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të tilla në institucionet tona arsimore. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përkrahje të drejtuesve institucionalë të asaj lufte – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë, vetëm pse ishin në anën e drejtë të historisë. Liria e Kosovës nuk është krim. Lufta për arsim, liri dhe dinjitet nuk gjykohet”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) konfirmuan për Telegrafin se zhvillojnë aktivitete informuese në Kosovë që nga viti 2018, si pjesë e Programit të Shtrirjes së Informacionit, duke përfshirë nxënës, komunitetin lokal, gazetarë dhe avokatë.
Zëdhënësja Angela Griep tha se këto takime diskutojnë mbi mandatin dhe procedurat e gjykatës, duke ofruar informacion publik të ngjashëm me atë që gjendet në faqen zyrtare të KSC-së. /Telegrafi/


