Kryeprokurori i PSRK Isufaj në Zubin Potok: Procesi mund të zgjasë, identifikimi i të gjeturve merr kohë

PUBLIKUAR

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, sot ka vizituar lokacionin në Zubin Potok, ku po dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas dyshimeve fillestare, në këtë lokacion mund të ndodhen mbetjet mortore të 23 personave të zhdukur më 19 prill 1999, të njohur si “Grupi i intelektualëve të Mitrovicës”.

Pas vizitës në vendin e gërmimeve, Isufaj deklaroi se deri më tani është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, por theksoi se procesi i identifikimit është i ndërlikuar dhe kërkon kohë, pasi çdo mbetje duhet të trajtohet sipas standardeve të mjekësisë ligjore dhe të identifikohet përmes analizave të ADN-së.

Ai falënderoi Policinë e Kosovës, prokurorët specialë dhe ekipin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për punën që po zhvillojnë në terren.

“Po, gërmimet kanë filluar. Së pari, dua ta shfrytëzoj rastin për ta falënderuar Policinë e Kosovës për punën e madhe që kanë bërë, njëkohësisht duke i falënderuar edhe kolegët e mi, prokurorët specialë dhe stafin. Sigurisht që falënderimi shkon edhe për ekipin e Mjekësisë Ligjore, i cili është duke bërë një punë profesionale për identifikimin e atyre mbetjeve mortore, të cilat deri tash është vërtetuar se janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standarde për marrjen dhe identifikimin e secilit trup përmes ADN-së. Mirëpo, këto mbetje nuk mund të tërhiqen aq lehtë, sepse paraprakisht duhet të rekonstruktohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohet në Mjekësinë Ligjore, për të vazhduar më tej me procedurat e tjera. Ajo çka mund të them sot para jush është se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura, me qëllim të respektit ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre. Unë edhe më herët kam bërë thirrje që të mos deklarohemi shumë për këtë rast, sepse gjithçka është ende herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund ta devijojnë edhe rezultatin përfundimtar”, tha Isufaj.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka identifikuar dy serbë që dyshohen për përfshirje në vrasjen dhe varrosjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999. Hetimet për rastin janë në vazhdim, ndërsa procesi i gërmimeve pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

SHIKO MË SHUMË

Hoti para kuvendit të jashtëzakonshëm: Do të dalim më të fortë, për ta rikthyer LDK-në si forcën kryesore politike

Ish-kryeministri i Kosovës dhe anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar para mbajtjes së...

LVV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Përparim Ramës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij

Asamblistët e Lëvizjës Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj...

Arrestohet në Shtime një person i kërkuar me urdhërarrest aktiv

Më 29.07.2026, rreth orës 22:15, hetuesit e stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit në...