Kryeministri Kurti takohet me Drejtoreshën e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë

PUBLIKUAR

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, njëherit ndihmës administratore e UNDP-së dhe Drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura. Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Linda Çavdarbasha, këshilltari i kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu, deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovë, Fitore Pacolli, dhe në anën tjetër Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP në Kosovë, Tahmina Anvarova, Specialiste e Strategjisë dhe Partneriteteve të UNDP në RBEC dhe Enisa Serhati, Menaxhere e portofolios së rritjes gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërisë klimatike e UNDP në Kosovë.

Duke folur për planin e vaksinimit dhe rimëkëmbjes lidhur me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës 16+, me rreth 60% të vaksinuar me të dyja dozat, gjë që e bën Kosovën lider në Ballkanin Perëndimor.

“Ne hartuam pakon e rimëkëmbjes ekonomike, e cila është 6% e Bruto Produktit Vendor, me synim për t’i mbështetur ata që patën humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe për formalizimin e vendeve të punës, prodhimin vendor, rritjen e eksportit, familjet, punëtorët shëndetësorë dhe policinë”, tha kryeministri Kurti.

“Situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. Prandaj, qeveria po punon për strategjinë e re për arsimin, me digjitalizimin si një nga shtyllat e strategjisë. Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin tonë të qeverisë dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë një nga pikat kyçe e strategjisë sonë të re të zhvillimit kombëtar”, u shpreh kryeministri Kurti gjatë këtij takimi.

Ai theksoi se qeveria synon të përdorë transformimin digjital si një shtysë për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.

Në takim u diskutua gjithashtu mbi çështjet ambientale dhe veprimet e nevojshme që trajtojnë veçanërisht mbetjet, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efikas të burimeve. U veçuan veprimet e qeverisë për të mbrojtur pasurinë natyrore të rajonit, për të luftuar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, dhe për të siguruar sisteme të qëndrueshme ushqimore.

Kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e UNDP në ngritjen e kapaciteteve dhe ndihmën me ekspertizë në zhvillimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike.

Mirjana Spoljaric Egger theksoi përkushtimin e UNDP për të mbështetur reformën zhvillimore të Kosovës, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, frenimin e ndotjes së ajrit, dekarbonizimin e ekonomisë, tranzicionin e energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe zhvendosjen nga subvencionet e karburanteve fosile. Këto prioritete janë në përputhje me ofertën e UNDP për COVID-19 2.0 dhe ofrojnë mundësi të qartë për bashkëpunim të intensifikuar.​

SHIKO MË SHUMË

Qendra për Menaxhim Kufitar del me një njoftim të dytë: Hyrja për në Shqipëri është normalizuar

  Pas njoftimit për krijimin e kolonave kilometërshe për të hyrë në Shqipëri, Qendra për...

Aksident tragjik në Obiliq, vdesin shoferi dhe pasagjeri i një motoçiklete, lëndohet këmbësori me të cilin u aksidentuan

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Gazetën Express se mbrëmë...

Kurti ia uron SHBA-së 250 vjetorin e pavarësisë, liston një varg të dhënash historike për shtetin amerikan

Kreu i Qeverisës së Kosovës, Albin Kurti, ka uruar SHBA’në me rastin e 4...