KQZ ua ka marrë dorën zgjedhjeve, Elezi: Janë sfidë, por i mbajmë

PUBLIKUAR

Derisa kanë mbetur më pak se 24 orë afat për zgjedhjen e presidentit dhe në rast se nuk ndodh kjo vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare nga institucioni i cili e organizon procesin zgjedhor deklarojnë se mbajtja e një procesi të ri zgjedhor në një interval të shkurtër kohor pas zgjedhjeve të fundit përbën një sfidë të madhe. Madje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka as buxhet të ndarë për organizimin e zgjedhjeve të mundshme.

Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për KosovaPress thekson se KQZ-ja mbetet e obliguar të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen e çdo procesi.

“Mbajtja e një tjetër procesi zgjedhor në një interval kaq të shkurtër kohor pas zgjedhjeve të fundit dhe pas të gjithë atyre proceseve zgjedhore të organizuara vitin e kaluar, natyrisht se paraqet sfidë të konsiderueshme për KQZ-në dhe administratën e tij. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucion i përhershëm kushtetues me përgjegjësi themelore për organizimin e zgjedhjeve, mbetet i obliguar të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për organizimin e çdo procesi zgjedhor kurdo që kjo kërkohet nga KQZ-ja”, tha ai.

Elezi ka bërë të ditur se për vitin 2026 nuk është planifikuar asnjë proces i rregullt zgjedhor, dhe për këtë arsye, në ndarjet buxhetore të këtij institucioni nuk janë përfshirë mjete për një proces të mundshëm të parakohshëm.

Sipas Elezit, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, një nga hapat e parë që do të ndërmarrë KQZ-ja është hartimi i një plani buxhetor për organizimin e tyre, i cili do t’i dërgohet Qeverisë së Kosovës për miratim.

“Nëse do të ketë një proces të ri zgjedhor, atëherë një nga çështjet e para që do të trajtohet nga ana e KQZ-së është planifikimi i buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Në vitin 2026, nuk ka ndonjë proces të rregullt zgjedhor të planifikuar dhe kjo do të thotë se edhe në ndarjet buxhetore për këtë vit, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk ka mjete të planifikuara për ndonjë proces të parakohshëm zgjedhor. Në rrethana të tilla, pra, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, pra kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme, KQZ ka miratuar planifikimin buxhetor dhe kërkesën e ka përcjell për miratim në Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Elezi.

Elezi për KosovaPress ka treguar se sa mund t’i kushtojë Kosovës edhe një proces tjetër zgjedhor, i cili do të jetë i pesti brenda 16 muajve.

“Ne nuk mund ta dimë aktualisht se sa mund të jetë kostoja e përafërt e organizimit të një procesi të mundshëm zgjedhor, sepse çdo proces ka specifikat e tij. Por sa për rikujtim, buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat ishin të parakohshme, pra ato të 28 dhjetorit, ka qenë në vlerën e 11.5 milionë eurove. Ndërkaq, sipas raporteve të fundit, jo përfundimtare, për organizimin e atyre zgjedhjeve janë shpenzuar rreth 7 milionë euro. Sidoqoftë, për të pasur një planifikim të përafërt, për këtë çështje vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi merren në konsideratë të gjitha kërkesat e njësive përkatëse të KQZ-së, të cilat kanë detyra të caktuara në procesin zgjedhor”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së.

E marta është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. Deri tash, partitë politike nuk kanë gjetur konsensus rreth një emri që do të siguronte pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve në procesin e votimit për president. Në seancën e së hënës u prezantuan si kandidate për deputete, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, ndërsa nga kandidimi u tërhoqën zëvendëskryministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku.

SHIKO MË SHUMË

Seanca shtyhet për orën 19:00, Haxhiu lutje opozitës: Në vend që t’u bëni presion kandidatëve, ejani në seancë

Është shtyrë për në orën 19:00 sdeanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit. Kryetarja e...

Seanca për presidentin, VV sërish e vetme në sallë

Tashmë ka nisur seanca e thirrur për të diskutuar rreth çështjes së zgjedhjes së...

Shpërthen Agim Bahtiri: Mos rrini nëpër skuta, sjellni nënshkrimet në Kuvend

eksa pritet të nisë seanca e radhës e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, deputeti...