Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar lidhur me ndërprerjet e shpeshta dhe të zgjatura të energjisë elektrike në territorin e kësaj komune, duke shprehur shqetësimin e thellë për pasojat që kjo situatë po shkakton tek qytetarët dhe bizneset lokale.
Ai thekson se mungesa e energjisë elektrike po cenon jetën e përditshme të qytetarëve, funksionimin normal të shkollave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve komunale, si dhe po shkakton dëme ekonomike për bizneset.
I pari i Malishevës, i bëri thirrje edhe Qeverisë së Kosovës, që ta trajtojë me prioritet situatën energjetike në këtë komunë dhe të ndërmarrë masa konkrete për sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm me energji elektrike.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga KEDS dhe KESCO që të japin sqarime të qarta lidhur me arsyet e ndërprerjeve dhe të ndërmarrin intervenime urgjente teknike për evitimin e mungesës së energjisë elektrike në Komunën e Malishevës.
Në reagimin e tij, Kastrati ka theksuar se qytetarët e Malishevës meritojnë trajtim të barabartë me qytetarët e komunave të tjera të vendit, duke nënvizuar se furnizimi me energji elektrike është shërbim bazik dhe e drejtë themelore që duhet të garantohet pa përjashtime.
Ai ka shtuar se Komuna e Malishevës do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të kërkojë zgjidhje të menjëhershme dhe afatgjata për këtë problem.


