Në 2021 jo që nuk përufundoi pandemia, por virusi po vinte me variante të reja, edhe më të rrezikshme. Pati dramë me vaksinat, që i mori shumë vone. Pati “gjendje lufte” kur më nuk kishte as shtretër në spitale, e në një ditë vdisnin 36 veta nga Covid-i. Në fund të verës, Kosova pati ditët më të errëta të saj. Ndërsa vitin e përmbylli pa shumë qartësi se çka do të sjellë varianti “Omicron”.
Gazeta Expres
Katër valë të virusit SARS-CoV-2 përfshinë Kosovën gjatë gjithë vitit 2021, si rrjedhojë u regjistruan mijëra viktima e raste të infektuara me COVID-19.
Viti 2021 e gjeti sektorin e shëndetësisë me probleme të shumta, të cilat u lanë nën hije për shkak të betejës kundër COVID-19.
Kosova nis këtë vit pa Sigurime Shëndetësore, pa shumë aparatura të nevojshme, pa shumë barna esenciale për pacientët e shtrirë në institucionet publike shëndetësore, pa shumë shërbime të nevojshme për pacientët, e pa shumë profesionistë shëndetësorë.
“Gjendje lufte”
Institucionet publike shëndetësore, gjatë 2021-ës, në periudha të ndryshme, u përballën me një fluks të madh të pacientëve të infektuar me Covid-19. Mjekët e përshkruanin gjendjen si “gjendje lufte”.
Të gjithë shtretërit e klinikave COVID ishin të mbushur me pacientë, e korridoret me familjarë që kujdeseshin për ta. Reparte e klinika të shumta të cilat shërbenin për trajtimin e pacientëve me sëmundje tjera, u lëshuan për pacientët me COVID.
Në gjithë këtë fatkeqësi, për pacientët ishte fat që të gjenin një shtrat të lirë e një bocë oksigjeni.

Drama me vaksina
Derisa Kosova regjistronte qindra raste të infektuara me COVDI-19 e dhjetëra viktima, vaksinimi kundër këtij virusi, konsiderohej shumë i rëndësishëm për të mbrojtur qytetarët. Megjithatë, për dallim nga shtetet tjera, Kosova deri në fund të muajit mars, nuk kishte as edhe një dozë të vaksinës.
Më 18 shkurt të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj kishte publikuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 i cili parashihet vaksinimin e popullsisë në tri faza.
Ne fazën e pare parashihej vaksinimi i 3% të popullsisë (54,000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar). Ne fazën e dytë 17% e popullsisë dhe në fazën e tretë parashihej që vaksinimi të shtrihet në 50% të popullsisë (apo 900,000 persona).
Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës. Bëhej fjalë për 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat vinin si donacion i Aleancës Botërore të Vaksinimit-COVAX, e cila kishte ndarë 360 mijë vaksina donacion për Kosovën.
I pari që u vaksinua me to një ditë më pas ishte kryeministri, Albin Kurti. Ndërsa, pas tij filloi vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.
“Me shembullin tim këtu në sallën “1 Tetori”, dua t’u them të gjithë qytetarëve, t’i inkurajojë ata, që të vaksinohen dhe të heqin dilemat mbi dobinë e kësaj ndërmarrjeje. Pra, vaksinat janë të nevojshme, vaksinimi është i nevojshëm me qenë se përballemi me një pandemi shumë të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës natyrisht që është vaksinimi i popullsisë”, kishte deklaruar Kurti.

Dyshimet për vaksinim
Megjithatë, përkundër furnizimit me vaksina, në mesin e qytetarëve kishte dyshime për marrjen e saj, sidomos për marrjen e vaksinës së AstraZenecas.
Në maj të këtij viti Kosova u furnizua me 4 mijë e 680 doza të vaksinave Pfizer nga rreth 95 mijë sa ka ndarë Bashkimi Evropian për vendin. Me ardhjen e vaksinave Pfizer, interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar me to filloi të rritet.
Më 28 maj, Kosova arriti marrëveshje me Pfizer për furnizimin me 1 milion e 213 mijë vaksina Anti-COVID.
Ndërsa, SHBA’të ndanë për vendin 503 mijë e 100 doza të vaksinave Pfizer si donacion. Norvegjia ndau mbi 180 mijë vaksina.
Keqmenaxhimi i vaksinimit
Me t’u furnizuar vendi me më shumë vaksina, qytetarë të shumtë ia mësynë qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Përkundër interesimit për t’u vaksinuar si masë mbrojtëse ndaj virusit, shumë prej tyre rrezikuan shëndetin duke qëndruar me orë të tëra në grumbull.

Megjithatë, me uljen e rasteve të reja të infektuara me COVID-19, filloi të bjerë edhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar. Kësisoj, Ministria e Shëndetësisë mori vendim që qytetarët të mund të vaksinohen edhe pa caktuar termin, e po ashtu të vaksinohen në cilëndo qendër të vaksinimit.
Po ashtu, në gusht të këtij viti, MSH morri vendim që të lejoj edhe vaksinimin e personave nën 18 vjeç.
Ndërsa, nga 9 dhjetori, Kosova filloi me administrimin e dozës së tretë të vaksinës dhe asaj përforcuese.
Numri i personave të vaksinuar deri tani me dozën e parë ka shkuar në 881 mijë e 028, derisa 782 mijë e 696 persona kanë marrë dozën e dytë të vaksinës.
12 muaj, 3 ministra

Gjatë këtij viti me Ministrinë e Shëndetësisë kanë udhëhequr tre ministria, Armend Zemaj, Arben Vitia dhe Rifat Latifi.
Më 23 mars të këtij viti, Arben Vitia ka pranuar zyrtarisht detyrën e ministrit të Shëndetësisë, nga ish-ministri, Armend Zemaj.
Më 1 nëntor të këtij viti, Vitia dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, për shkak që ai i ishte futur garës për të parin e Prishtinës.
Ndërsa, më 16 nëntor, në krye të Ministrisë së Shëndetësisë erdhi ministri aktual, Rifat Latifi.
Premtimet e të tre ministrat ishin të njëjta, megjithëse një pjesë e tyre, si ai për Sigurime Shëndetësore, mbetën të parealizueshme.
“Heronjtë e pandemisë”, të pakënaqur me pagat

Heronjtë e pandemisë, punëtorët shëndetësorë janë shprehur të pakënaqur me pagat që marrin, andaj edhe disa herë janë ngritur në protesta me kërkesat për implementimin e Ligjit të Pagave, përmes të cilit parashihen rritje për ta.
Ata janë shprehur se pandemia i ka rënduar fizikisht dhe financiarisht dhe se u mungon mbështetja e qeverisë.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kishte paralajmëruar masa edhe gjatë vitit të ardhshëm nëse nuk implementohet Ligji për Paga.
“Njerëzit shpesh po mendojmë se ne po kërkojmë vetëm para, por ne thjeshtë po kërkojmë atë që ka proklamuar qeveria. Kanë proklamuar një barazi sociale, e ka rastin”, kishte deklaruar Syla.
Ndërsa, ashtu si edhe viteve të kaluara, edhe këtë vit mbi 100 mjek janë larguar nga vendi. Kjo për shkak të kushteve e pagave më të mira.
Sigurimi i barnave, barrë për pacientët
Pacientë të shumtë të infektuar me COVID-19 e me sëmundje tjera, edhe këtë vit kanë pasur barrë sigurimin e barnave gjatë trajtimit në institucionet publike shëndetësore në vend.
Me mungesë të barnave janë përballur edhe pacientët e shtrirë në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.
Ata në të shumtën e kohës është dashur të sigurojnë vetë shumicën e barnave, disa prej të cilave kushtojnë edhe mbi 1 mijë euro.
Ndërsa, edhe mungesa e insulinave preku shumë qytetarë që vuajnë nga sëmundja e diabetit në vend.
Për shkak të mungesës së vazhdueshme të tyre në Qendrat e Mjekësisë Familjare, ata u detyruan që t’i drejtohen barnatoreve private në vend.
“12 muajt vendimtarë”
Që nga paraqitja e 9 rasteve të infektuara me variantin Omicron më 26 dhjetor, në Kosovë ka filluar të rritet numri i të infektuarve me COVID-19.
Derisa numri i rasteve të reja me COVID-19 filloi të bjerë gjatë muajve të fundit, gjatë ditës së mërkurë në Kosovë u regjistruan 33 raste të reja të infektuara me koronavirus, ndërsa gjatë ditës së enjte 53 raste. E të premten u regjistruan 42 raste të reja.
Me identifikimin e variantit Omicron në Kosovë, infektologë në vend kanë paralajmëruar rritje të numrit të rasteve të infektuara me COVID-19 në muajt në vijim.
Derisa një valë e re e COVID-19 po përhapet me shpejtësi në shtete të shumta, një valë e re mund të përfshijë edhe vendin gjatë vitit të ardhshëm.
Infektologë në vend kanë vlerësuar si shumë të nevojshëm vaksinimin e qytetarëve me dozën përforcuese të vaksinës dhe respektimin e masave Anti-COVID në mënyrë që gjendja me virusin të menaxhohet./GazetaExpress/


