Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se raporti tregon që Qendra për Punë Sociale në Pejë pavarësisht se ishte në komunikim me Arlinda Zekajn nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët.
“Nga korriku dhe deri në tetor, Qendra për Punë Sociale kishte komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn. Megjithatë, raporti evidenton se Qendra s’e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, Qendra nuk dorëzoi ashtu siç i ishte kërkuar nga gjykata brenda afatit raportin e kërkuar. Më 5 tetor, madje përfaqësuesi i saj mungoi në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar duke kontribuuar në shtyrjen të mëtejshme. Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të viktimave ka deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht, pra çdo ditë raportin nga zyrtari përgjegjës Durim Kelmendi, por pa rezultat”.
Ajo tha gjithashtu se “vlerësimi i psikologes klinike përmban të dhëna që e kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar deri tash se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij”.
“Për shkak të mbrojtjes së privatësisë nuk do të hyj në hollësi sot”.


