Superliga e Kosovës rikthehet sot me xhiron e 20-të, teksa do të luhet vetëm një ndeshje gjatë ditës së shtunë.
Është kampionia e Kosovës, Drita që do t’i bëjë konak Drenicës nga Skënderaj, me ndeshjen që nis nga ora 13:00, shkruan “Gazeta Express”.
Drita hyn në këtë përballje pas fitores si mysafire te Ferizaj xhiron e kaluar, me shifrat minimale prej 1-0. Kristal Abazaj ia dhuronte fitoren.
Ndërkohë, Drenica barazoi 1-1 me Llapin fundjavën e kaluar.
Në dy ndeshjet paraprake të këtij sezoni mes vete, Drenica i ka dy fitore ndaj Dritës.
Fillimisht, Drenica kishte fituar 1-0 në Gjilan, e pastaj e kishte mposhtur kampionen e Kosovës edhe në Skënderaj me shifrat prej 3-1.
Momentalisht, Drita është në vendin e tretë në tabelë me 32 pikë, katër më pak se Ballkani në vendin e parë dhe një më pak se Prishtina në vendin e dytë.
Drenica është e teta në tabelë me 21 pikë, një më pak se Llapi që është i shtati./GazetaExpress/


