Trajneri i Tottenhamit, Antonio Conte, është shprehur i lumtur me rezultatet e Interit këtë sezon dhe nuk e hedh poshtë mundësinë e rikthimit në Serie A.
Conte e braktisi Interin në verë, pasi i ndihmoi ta fitojë titullin në Serie A në sezonin 2020/21 dhe u emërua trajner i Tottenhamit në fillim të nëntorit, raporton Gazeta Express.
Ai ishte titulli i parë i Interit në ligë pas 11 vjetëve.
Me Interin, Conte i dha fund mbizotërimit nëntëvjeçar të ish-klubit të vet Juventus në Itali. Bardhezinjtë, lojtar dhe trajner i të cilëve ishte Conte, përfunduan në vendin e katërt sezonin e kaluar nën udhëheqjen e Andrea Pirlos.
Simone Inzaghi e zëvendësoi Conten në Inter dhe zikaltrit janë duke pasur sukses nën udhëheqjen e tij.
Interi është lider i Serie A pas pjesës së parë të sezonit 2021/22, me një epërsi prej katër pikëve ndaj rivalit të qytetit, Milan.
Conte ende e përcjell Interin dhe e pranon se mund të rikthehet në Serie A në të ardhmen.
“Unë jam i lumtur me vazhdimësinë e Interit, sepse po e vazhdon atë që e kemi bërë në mënyrën më të mirë”, tha Conte për Sky Sport Italia.
“Mund vetëm t’i kompletoj ata dhe mendoj se ata e kanë bazën për të qenë në top për një kohë të gjatë”, nënvizoi ai.
“Mbase mund të rikthehem një ditë për ta ndalur përsëri mbizotërimin (e Interit)”, shtoi ai me shaka. /Gazeta Express/


