Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili i atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ish-deputete të opozitës.
Vlora Çitaku e PDK-së dhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së e akuzuan ministrin se po përpiqet t’i mbajë meritat për një proces që, sipas tyre, është zhvilluar prej vitesh dhe pa kontribut të Vetëvendosjes.
Vlora Çitaku deklaroi se “kontributi i vetëm” i Vetëvendosjes në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe vonesat shumëvjeçare.
Ajo ironizoi se me këtë qasje, VV “së shpejti do të thotë se ka shpallur edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën”.
“Dil në barnatore e i sheh qytetarët pa para as për barna. Tako ndonjë pensioner që kursen nga buka për energjinë. Kryeje punën tënde e pastaj krekosu,” i shkroi Çitaku Muratit.
Edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, reagoi ashpër, duke thënë se Murati po krenohet me punën e të tjerëve, ndërsa nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.
Ajo kujtoi se VV vite më parë kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi – kushtin e fundit për liberalizimin e vizave – duke shkaktuar, sipas saj, vonesa dhjetëvjeçare. “Radhët për viza kanë qenë faj i juaji”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se Kosova sot është “në sanksione dhe më e izoluar se kurrë”, duke akuzuar qeverinë për humbjen e mbi 1 miliard eurove asistencë ndërkombëtare. “Sa shkolla, rrugë e projekte do të realizoheshin me ato grante që ju ia humbët Kosovës?”, pyeti ajo.
Reagimet e dy ish-deputeteve pasuan deklaratën e Muratit, i cili tha se liberalizimi i vizave u arrit pavarësisht “izolimit të shtetit nga qeveritë e mëparshme” dhe se Qeveria Kurti ka qenë vendimtare në përmbylljen e procesit.
Debati ka rikthyer polemikat e vjetra për rolin e secilës palë në këtë çështje shumëvjeçare./Telegrafi.


