Besa Shahini bëhet nënë, lëvdata personelit mjekësor për kujdesin

PUBLIKUAR

Ish-kandidatja për kryetare të komunës së Prishtinës, Besa Shahini, ka njoftuar se është bërë nënë, duke thënë se kjo ka qenë arsyeja se pse s’ka qenë e angazhuar kohën e fundit.

“Miq, ju falënderoj nga zemra për urimet. U bënë tri javë prej kur lindi bebi, kësaj radhe në QKUK-në e Prishtinës. Kjo është edhe arsyeja pse nuk e kam pasur të mundur angazhimin publik dhe përfshirjen në diskutimet e rëndësishme, prej aktgjykimit të Hagës e testit PISA, deri te rregullorja për tarifa dhe taksa të hyrjes në qendër të Prishtinës, që del në votim sot në Kuvendin Komunal. Do të marr edhe disa javë kohë para se të rifilloj angazhimin”.

Më pas, Shahini ka lavdëruar personelin mjekësor të QKUK’së për kujdesin gjatë lindjes së fëmijës së saj.

“Por një gjë dua ta them qysh sot: kujdesi në QKUK ka qenë shumë i mirë. I falënderoj mjekët, por sidomos infermierët, që kanë ndihmuar në lindje dhe janë përkujdesur për ne pas lindjes”.

Shahini tha se infermierët punojnë me paga të ulëta dhe kanë mbingarkesë të madhe, ngaqë numri i të punësuarve nuk mjafton për numrin e pacientëve dhe shërbimin që ofron QKUK-ja.

“Numrat e publikuar nga Agjencia e Statistikave tregojnë se në sistemin publik të Kosovës punojnë mbi 7,700 infermierë, që jep një raport prej vetëm 5 infermierësh për 1,000 banorë. Krahasimisht, sipas Bankës Botërore, në vitet 2020–2022, numri i infermierëve për banorë ishte mbi 12 në Gjermani dhe Danimarkë, ndërsa në Norvegji arrin në mbi 16 për 1,000 banorë. Numrat e Kosovës janë më të krahasueshëm me vendet në zhvillim. Sipas projektit Converge2EU, Kosovës i duhen 41 vite për të arritur mesataren e BE-së. Ndërsa, sa i përket numrit të shtretërve spitalorë për kokë banori, numri është aq i vogël saqë do t’i duhen mbi 100 vite për të arritur mesataren e BE-së”.

“Kosova nuk është imune ndaj presionit demografik dhe do të ketë nevojë për investime drastike në shërbimin shëndetësor për një popullatë që po plaket. Kjo është një emergjencë kombëtare që qeveria duhet ta adresojë urgjentisht”.

SHIKO MË SHUMË

Apeli shqyrton ankesat në rastin e ish-zyrtares së OSBE-së të dënuar për spiunazh

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes lidhur me...

Hoxha nderon Afrim Bunjakun: Kemi kapacitete më të mëdha se në kohën e sulmit në Banjskë

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se Policia e Kosovës tashmë...

Muhaxheri: Vendimi i Kushtetueses ishte më i kënaq të gjitha palët

Analisti Arton Muhaxheri, i ftuar në Kosova Live në T7, përmes një lidhjeje direkte,...