Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se kërkesa e partisë së tij është e qartë ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet në lexim të dytë dhe të aprovohet nga Kuvendi.
Hamza tha se nëse ka pasur ndonjë pengesë apo vështirësi, ato nuk kanë qenë të pranishme në leximin e parë, pasi ligji ka kaluar të gjitha procedurat deri në atë fazë.
“E kemi pasur komunikimin, kërkesa është e qartë: ligji me u votu në lexim të dytë. Nuk ka asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese, çfarëdo vështirësie, pse ka kaluar në lexim të parë, po mundka me i kalu të gjitha procedurat. Mirëpo, kur po vika në fazën finale, nuk po kalojka. Këto janë çështje të ndara”, ka deklaruar Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që ligji të votohet në të dy leximet, duke shtuar se çështja e UÇK-së nuk duhet të shihet si pronë e një partie politike.
“Kemi folur vazhdimisht, kemi thënë që ligji duhet të votohet në të dy leximet, duhet të aprovohet ligji. Kjo nuk është çështje që ligji i takon vetëm një partie politike, nuk është ligj që i takon PDK-së. UÇK-ja ka ekzistuar para se me ekzistu PDK-ja dhe partitë tjera. Është mirë që të gjitha partitë tjera kanë ushtarë të UÇK-së”, tha ai.
Hamza u ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Kuvendit dhe ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ta thërrasin seancën dhe deputetët të votojnë ligjin në lexim të dytë.
“Unë i bëj ftesë zotit Kurti, Kuvendit, zonjës Haxhiu me e thirr seancën, me na thirr deputetëve, me e aprovu ligjin në lexim të dytë. Normalisht, janë çështje të ndara. Ka koinciduar, vendi ka mujt me pas presidentin andej, kërkesa jonë është me u miratu ligji”, u shpreh Hamza.


