Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Evropian ka njoftuar në lidhje me takimin e djeshëm mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së, Peter Sorensen.
Tema e takimit ishte themelimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.
Në njoftim u tha se themelimi i këtij komisioni ishte dakorduar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq, në Deklaratën për Personat e Zhdukur, të nënshkruar më 2 maj 2023 gjatë një takimi të nivelit të lartë të lehtësuar nga Përfaqësuesi i atëhershëm i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
“Qëllimi i Komisionit të Përbashkët është mbikëqyrja e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, e cila synon të ndihmojë në zbardhjen e fatit të personave ende të zhdukur, përfshirë rastet e zhdukjeve me forcë, t’u japë përgjigje familjeve të tyre dhe të kontribuojë në pajtim të qëndrueshëm dhe paqe afatgjatë”.
“Në përputhje me Termat e Referencës të dakorduara, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë punën e Grupit Punues për Personat e Zhdukur, të udhëhequr nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), duke lehtësuar zbatimin e aktiviteteve nga palët, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe vlerësimin e progresit të arritur”, u tha në njoftimin e BE-së, raporton Klankosova.tv.
Më tutje në njoftim shtohet se BE-ja, Kosova, Serbia apo ICRC-ja mund t’i referojnë Komisionit të Përbashkët çdo çështje që lidhet me zbatimin, aplikimin dhe interpretimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, si dhe çdo çështje të kontestuar brenda Grupit Punues të udhëhequr nga ICRC-ja, përfshirë rishikimin dhe përditësimin e Termave të Referencës dhe Kornizës së Përgjithshme të këtij grupi, në rast se nuk arrihet konsensus.
Komisioni, thotë BE-ja, do të shqyrtojë këto çështje brenda mandatit të tij, ndërsa çdo vendim mbi çështjet e kontestuara do t’i kthehet Grupit Punues për miratim dhe zbatim.
“Bashkimi Evropian ka pritshmëri të larta që Komisioni i Përbashkët të japë një kontribut të rëndësishëm në sqarimin e fatit të personave të zhdukur dhe në mbylljen e një kapitulli të dhimbshëm për familjet, të cilat prej vitesh presin përgjigje”, u tha në njoftimin e BE-së.
BE-ja kujton se më 17 dhjetor 2024, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u dakorduan në Bruksel për Termat e Referencës së Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, i cili buron nga Deklarata për Personat e Zhdukur e arritur më 2 maj 2023 ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq.
Mbrëmë, Bislimi u deklarua pas takimit, duke thënë: “Në takimet e radhës të dialogut në Bruksel, funksionalizohet Komisioni i Përbashkët për jetësimin dhe zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë”. /Klankosova.tv


